Kush do ta kishte menduar në fillim të sezonit se Teuta do ta mbyllte kampionatin në “Play Out”, duke rrezikuar seriozisht rënien nga kategoria?
Durrsakët, një skuadër që zakonisht ka qenë pjesë e mesit të tabelës dhe larg zonës së ftohtë, u fundosën pikërisht në fazën më vendimtare të kampionatit, aty ku gabimet peshojnë dyfish dhe presioni bëhet i padurueshëm.
Tashmë gjithçka vendoset në një përballje dramatike ndaj Pogradecit, një skuadër me uri të madhe për rikthim dhe që gjatë sezonit ka investuar fort për të realizuar ëndrrën e ngjitjes në Superiore.
Liqenorët eliminuan Besën e Kavajës në kohën shtesë për të mbërritur në ndeshjen finale.
Rregullorja e favorizon Teutën dhe sfida do të luhet në “Niko Dovana”, por kjo nuk mjafton për të larguar hijet e pasigurisë që kanë mbërthyer klubin bregdetar.
Situata është bërë edhe më delikate pas largimit të trajnerit Enkeleid Dobi, duke e lënë skuadrën pa timonier në momentin më kritik të sezonit.
Historia rikthehet pas në kohë për Teutën, pasi hera e fundit që durrsakët luajtën një Play Out daton në vitin 2008, në përballjen ndaj Burrelit dhe siguruan qendrimin në kategori pas dy ndeshjeve.
Një kujtim i largët, por që sot rikthehet si një makth për një klub me histori dhe traditë në futbollin shqiptar.
Tani, në 90 minuta, Teuta luan jo vetëm sezonin, por edhe krenarinë dhe mbijetesën në elitë.