Zoran, mos i prek as “Ballistët” e as Shkëndijen!

Futboll

Zoran, mos i prek as “Ballistët” e as Shkëndijen!

Nga: K.Goca Më: 21 maj 2026 Në ora: 13:03
Pamje nga ndeshja

Shkëndija e Tetovës ka qenë halë në sy në futbollin e Maqedonisë së Veriut që nga vitet e 90-ta.

Botërisht dihet dënimi që i ndodhi Shkëndijës në edicionin 1996/97, pas ndeshjes në Shtip kundër Bregallnicës, kur rëndë u dënua edhe kryetrajneri Ajet Shosholli me 20 muaj suspendim dhe 10 mijë marka gjobë.

Shkëndija nuk është as hera e parë e as e fundit që përballet me situata të tilla dhe me sulme nga individë e mediume maqedonase, siç ndodhi edhe mbrëmë.

Zoran Gjorshoski, para se të merret me Shkëndijen, duhet të merret edhe me dëmet e rënda që, sipas kritikëve, u bëhen klubeve shqiptare.

Askush nuk e ngriti zërin për mënyrën se si u dëmtua rëndë Shkëndija e Haraçinës në Shtip ndaj Bregallnicës, ku iu mohua fitorja dhe vendi i parë.

Si pasojë e dëmeve të mëdha që, sipas pretendimeve, iu bënë skuadrave shqiptare vitin e kaluar, Besa Dobërdollit, Voska Sport nga Ohri dhe Gostivari hoqën dorë nga garat dhe u shuan si ekipe!

A mos vallë tani dikush dëshiron që edhe Shkëndija e Tetovës të ketë të njëjtin fat, sepse i pengon fakti që është një nga klubet më të suksesshme dhe me arritjet më të mëdha në garat evropiane, deri në play-off të Conference League?

Zoran Gjorshoski, mos u prek as me “Ballistët”, e as me Shkëndijen!

Ja çfarë shkruan Zoran Gjorshoski: 

“Turp, siklet, skandal: Çfarë po kërkonte Shkëndija?!

Së pari urime për futbollistët dhe shtabin teknik të Sileksit, për trofeun e fituar në Kupën e Maqedonisë.

Absolutisht e merituar, çdo nderim.

E tani të shkojmë te ajo që ndodhi mbrëmë në ‘Arena Todor Proeski’ në Shkup. Vetëm fakte dhe asgjë më shumë.

Fishkëllima dhe mosngritje në këmbë kur intonohet himni i shtetit tënd. Kjo nuk falet.

Koreografia dhe sjellja e tifozëve të Shkëndija, së paku skandaloze. Kjo nuk falet.

Refuzimi për t’i pranuar medaljet e argjendta. Kjo nuk falet.

Tri gjëra nga shumë të tjera që e skandalizuan opinionin vendas dhe jo vetëm atë futbollistik.

Të gjithë u “elektrizuam” dhe nuk mund ta kuptojmë pse është kështu.

Çfarë po kërkonte Shkëndija?! Veçanërisht me atë komunikatë të mesnatës, ndoshta vetëm atëherë e kuptuan se cilat mund të jenë pasojat pas paralajmërimit të Federata e Futbollit e Maqedonisë se do të ketë dënime drastike. Ndoshta tani po “pastrohen”.

Në futboll, si edhe në jetë, ka rregulla dhe norma sjelljeje. Nëse nuk i respekton, atëherë ke problem.

Kjo me tifozët dhe mosngritjen gjatë himnit nuk është diçka e re, sepse të njëjtën gjë e bënë edhe drejtuesit e Shkëndijës më 16.02.2025 para ndeshjes me Vardarin në Arenë, kur nuk u ngritën për të treguar respekt ndaj shtetit në të cilin jetojnë”< kështu shkruan Zorani duke vazhduar:

“Duhet kuptuar një gjë. Nëse tashmë ke vendosur të luash në një ligë të atij shteti, cilido qoftë ai, atëherë duhet t’i respektosh rregullat dhe normat, të paktën elementaret.
E Shkëndija, sidomos tifozët e atij klubi, dje, por edhe disa muaj më parë, nuk i kanë respektuar ato rregulla dhe norma. Kjo nuk falet.

Të mos flasim për atë skandal kur u fishkëllye gjatë një minute heshtje për viktimat në Koçan. Të mos flasim për disa skandale të tjera. Sinqerisht, edhe më parë Shkëndija, e veçanërisht tifozët e saj, janë turpëruar, por kjo është për çdo dënim.

Kur Shkëndija arriti sukses historik në Evropë, të gjithë nxituam ta uronim.

Pas çdo fitoreje, FFM dilte dhe uronte. Të mos flasim për njerëzit e zakonshëm të futbollit, të gjithë krenoheshim me Shkëndijën. E tani, a duhet të krenohemi me këtë?

Nuk është aq problem mospranimi i medaljeve, edhe pse nuk e dimë pse, por problemi është më i madh nëse dihet se vetëm drejtuesit e klubit mund t’u urdhërojnë lojtarëve të mos i pranojnë medaljet.

E nëse “Ballistët” e kanë urdhëruar këtë, atëherë problemi është serioz.

A e drejtojnë tifozët klubin apo njerëzit që paguhen për këtë punë?

Përndryshe, kjo nuk është hera e parë në historinë e Kupës së Maqedonisë që një ekip refuzon t’i marrë medaljet e argjendta. Kjo kishte ndodhur edhe më 24 maj 2005 nga ana e Maxhari pas “masakrës” në finalen me Bashkimin.
Ndërsa dje Shkëndija u mposht me meritë. Sileksi ishte më i mirë dhe pikë.

Realisht, Shkëndija që nga ajo ndeshje me Vardarin në FFM kur fitoi 0:1 nuk po luan as 20% të asaj që mundet.

Prandaj i humbi të dy titujt, e jo për shkak të arbitrimit apo faktorëve të tjerë. Shkëndija vetë është fajtore për këtë. E pse është kështu, një herë tjetër.

Në fund, kjo ÇMENDURI, kjo nuk është vetëm për Shkëndijën, duhet të ndalet. Duhet të ketë dënime, fajtorët duhet të sanksionohen dhe rregullat e normat duhet të respektohen.

Nëse ke dëshirë të luash futboll, atëherë luaj, nëse nuk ke dëshirë të luash, atëherë...”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat