Numri një i “RedBird” ka vendosur, që së bashku me Zlatan Ibrahimoviç do të kërkojë një trajner ofensiv. Fundi i skemës 3-5-2, kuqezinjtë pritet të rikthehen te tredhëmbëshi sulmues.
Mjaft më me kujdesin ekstrem.
Mjaft me bllokun e ulët mbrojtës. Mjaft me barazimet pa gola në “San Siro” kundër skuadrave të vogla. Xherri Kardinale ka vendosur një ide të qartë në qendër të revolucionit të tij: ai dëshiron një Milan ofensiv, argëtues dhe të ri, edhe nëse kjo do të thotë të marrë më shumë rreziqe, edhe nëse ndeshjet përfundojnë 3-3 në vend të 0-0.
Pra, Kardinale nuk dëshiron më trajnerë me qasje të stilit Alegri.
Çfarë kërkon Kardinale?
Milani po jeton ditët e para të revolucionit. Është ai momenti klasik kur gjithçka mund të ndodhë, kur ka entuziazëm dhe tifozët fillojnë të ëndërrojnë.
Për shembull, udhëtimi në Austri për të takuar Rangnik është një sinjal i qartë. Në vetëm dy ditë pas largimit të Furlanit, Tares, Monkadës dhe Alegrit, Milani ende po kërkon trajnerin dhe drejtorin e ri teknik. Iraola duket se ka shumë dyshime, por fakti që klubi e ka takuar dhe po mendon seriozisht për të, tregon profilin që kërkohet, një trajner i ri, i guximshëm dhe agresiv.
Një trajner që ndërton skuadra intensive dhe që kërkon presion të lartë në fushë. Ekziston një statistikë e quajtur PPDA, e cila mat numrin e pasimeve që kundërshtari arrin të bëjë para se të ndërhyhet në mbrojtje. Bournemuth i Iraolës ka shifrën më të ulët në Premier League, vetëm 9.9. Pra, çdo 10 pasime, loja e kundërshtarit ndërpritet. Milani i Alegrit, përkundrazi, ishte mes skuadrave me PPDA më të lartë në Serie A, afër kuotës 15. Diferenca është e madhe. Nëse Iraola preferon presionin agresiv, Alegri zgjedh të tërhiqet prapa dhe të godasë me kundërsulme, duke i lënë më shumë hapësira kundërshtarit për të luajtur.
Lamtumirë 3-5-2, rikthehet tredhëmbëshi
Të imagjinosh Milanin e ri nuk është e vështirë, pavarësisht se kush do të jetë trajneri i ardhshëm. Skema 3-5-2, e përdorur vazhdimisht nga miqësorja e parë në Azi deri te ndeshja e fundit me Kaljarin, pritet pothuajse me siguri të zhduket. Ideja e Milanit është të fokusohet te një trajner i huaj dhe jashtë Italisë skema 3-5-2 është po aq e rrallë sa një pica perfekte italiane. Shumë më e mundshme është që Milani të rikthehet te sistemi me tredhëmbësh sulmues, si në kohën e Piolit, me mbrojtje të lartë dhe më shumë raste për gol. Një projekt i ngjashëm me atë që klubi tentoi dy vite më parë me Paulo Fonsekën.
Sfida e vërtetë do të jetë mbrojtja e këtij projekti edhe në momentet e vështira, diçka që nuk ndodhi me trajnerin portugez. Klubi duhet të jetë gati të pranojë ulje-ngritjet që sjell një revolucion i tillë.
Dhe për ata që ndiejnë nostalgji për “corto muso”-n (fitore minimale) e Alegrit, këshilla është vetëm një, shikoni edhe një herë videon e tij në Ferrara… dhe pastaj mendoni për diçka tjetër.