Pavarësisht se në krye të dy skuadrave finaliste qëndrojnë dy trajnerë spanjollë, Paris Saint-Germain–Arsenal është sfida e dy filozofive të ndryshme në futboll, shkëlqimi parisien përballë soliditetit londinez.
Francezët janë shndërruar në një makineri perfekte, dominuese, me futboll të shpejtë dhe vertikal që kanë mahnitur botën prej dy sezonesh. Lojtarët njohin në perfeksion njëri-tjetrin, të udhëhequr nga fituesi i “Topit të Artë” Ousmane Dembélé. Por francezi nuk është i vetëm në këtë betejë.
“Topçinjtë” janë një ekip kameleon, që ndryshojnë dhe përshtaten në situata dhe përballë rivalëve të ndryshëm. Mikel Arteta ka shtuar muskujt në një ekip të brishtë që prej vitesh flirtonte me trofetë, por në fund dështonte. Këtë vit është ndryshe, londinezët sapo janë kurorëzuar kampionë të Anglisë dhe motivimi është në maksimum.
Luis Enrique kërkon trofeun për t’u futur në listën e trajnerëve me 3 Champions League, ku qëndrojnë Pep Guardiola dhe Zinedine Zidane.
Arteta synon të bëjë historinë në kompeticionin europian, pasi Arsenali nuk e ka fituar kurrë më parë titullin e Champions-it. Spanjolli do të mbështetet te forca mbrojtëse e ekipit, teksa në 9 përballje nga 14 e ka mbajtur portën të paprekur.
Për kompanitë e basteve, Parisi konsiderohet favorit për të fituar Champions League.