Milani e ka marrë një tjetër lajm zhgënjyes në kërkimin për trajnerin e ri.
Andoni Iraola, një nga emrat më të përfolur për stolin kuqezi gjatë javëve të fundit, duket se nuk do të transferohet në “San Siro”.
Sipas raportimeve nga Italia dhe Anglia, trajneri bask është shumë pranë marrëveshjes me Liverpoolin, i cili e ka identifikuar si kandidatin ideal për të nisur një cikël të ri në “Anfield".
Bisedimet mes palëve kanë avancuar ndjeshëm dhe nënshkrimi i trajnerit konsiderohet e afërt.
Milani kishte punuar prej kohësh për ta bindur ish-trajnerin e Bournemouthit, por drejtuesit kuqezi nuk kanë arritur ta mposhtin konkurrencën e klubit anglez.
Sipas mediave italiane, pista Iraola tashmë konsiderohet praktikisht e mbyllur për klubin lombard.
43-vjeçari ka fituar shumë vlerësime në futbollin anglez falë punës së tij te Bournemouth, ku arriti rezultate mbresëlënëse dhe e ndërtoi një skuadër konkurruese me futboll sulmues dhe presion të lartë.
Pikërisht ky stil loje e ka bindur Liverpoolin ta zgjedhë si pasuesin e projektit aktual teknik.
Pas largimit të Iraolës nga lista e objektivave, Milani pritet të përqendrohet te alternativa të tjera.
Në mediat italiane vazhdojnë të qarkullojnë emrat e trajnerëve si Xavi Hernandez dhe Oliver Glasner, ndërsa drejtuesit kuqezi synojnë ta mbyllin sa më shpejt çështjen e bankinës për sezonin e ri.
Për momentin, gjithçka tregon se Iraola është më pranë Premierligës sesa Serie A, ndërsa Milani duhet t’i vazhdojë kërkimet për njeriun që do ta udhëheqë projektin e ri sportiv pas një sezoni zhgënjyes.