Deschamps rikthehet te finalja e humbur e Euro 2016

Futboll

Deschamps rikthehet te finalja e humbur e Euro 2016

Më: 3 qershor 2026 Në ora: 12:02
Pamje nga ndeshja

Përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps, e ka rikthyer në vëmendje një nga momentet më të dhimbshme të karrierës së tij si trajner, humbjen në finalen e Euro 2016 kundër Portugalisë.

Duke folur për finalet e humbura gjatë drejtimit të “Les Bleus”, Deschamps u ndal te ndeshja e zhvilluar në “Stade de France”, ku Portugalia triumfoi 1-0 pas golit të Ederit në vazhdime.

Sipas trajnerit francez, nëse sistemi VAR do të ishte në përdorim në atë kohë, goli vendimtar i Portugalisë mund të mos ishte pranuar.

“Me teknologjinë që përdoret sot, ai gol ndoshta do të ishte anuluar”, ka deklaruar Deschamps, duke iu referuar një dueli të diskutueshëm që e parapriu aksionin e golit vendimtar.

Finalja e Euro 2016 mbetet një nga zhgënjimet më të mëdha për Francën, e cila e zhvilloi turneun në shtëpi dhe ishte konsideruar favorite për ta fituar trofeun.

Megjithatë, pas 109 minutash lojë, Eder e shënoi golin e vetëm të ndeshjes dhe ia siguroi Portugalisë titullin e parë evropian në histori.

Deschamps e pranoi se humbja ndaj Portugalisë dhe ajo në finalen e Kupës së Botës 2022 kundër Argjentinës mbeten plagë të hapura, por theksoi se ato e kanë ndihmuar ekipin të rritet dhe të mësojë nga gabimet.

Pavarësisht zhgënjimit të Euro 2016, Franca arriti të rikthehej fuqishëm dy vite më vonë, duke e fituar Kupën e Botës në Rusi dhe duke ia dhënë Deschampsit trofeun më të rëndësishëm të futbollit botëror si trajner. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat