Trajneri i ri i Liverpoolit, Andoni Iraola, raportohet se i ka shtuar një yll të Bournemouthit listës së tij fillestare prej tre lojtarësh që dëshiron t’i transferojë në “Anfield”.
Iraola u prezantua zyrtarisht si trajneri i ri i Liverpoolit të enjten në mbrëmje, duke zëvendësuar Arne Slotin.
Kohëzgjatja e kontratës së spanjollit nuk është bërë publike, por raportohet se ai ka nënshkruar një marrëveshje dyvjeçare.
Ai dha një intervistë për faqen zyrtare të Liverpoolit pas konfirmimit të emërimit të tij, megjithëse nuk do të flasë me mediat e tjera deri më vonë gjatë verës.
Ndërkohë, Liverpooli po punon për plane të rëndësishme në tregun e transferimeve, pasi e mbylli sezonin e kaluar në një vend zhgënjyes të pestë në Premierligë.
Klubi ka liruar Andy Robertsonin – i cili tashmë i është bashkuar Tottenhamit – si dhe Mohamed Salahun si lojtarë të lirë, me këtë të fundit që e ndërpreu kontratën një vit para afatit me marrëveshje të përbashkët.
Dhe Iraola tashmë po synon një lojtar nga ish-klubi i tij për të zëvendësuar njërin prej këtyre yjeve.
Edhe pse përfshirja e tij në vendimet për transferime mund të jetë më e kufizuar krahasuar me disa trajnerë të tjerë të Premierligës, nuk ka dyshim se objektivat e klubit do të përshtaten me stilin e lojës së 43-vjeçarit dhe me profilin e futbollistëve që ai preferon të drejtojë.
Sipas “i Paper”, Iraola dëshiron ta sjellë në “Anfield” sulmuesin anësor të Bournemouthit dhe Brazilit, Rayan.
19-vjeçari u transferua në Dean Court vetëm në janar nga klubi brazilian Vasco da Gama, por u përshtat shumë shpejt me futbollin anglez dhe ka shënuar pesë gola në 15 paraqitje në Premierligë.
Kjo formë i ka siguruar atij edhe një ftesë në skuadrën e Brazilit për Kupën e Botës nga trajneri Carlo Ancelotti.
Raportohet se Iraola – i cili konsiderohet një admirues i madh i talentit të tij – mund të duhet të presë deri në janar për ta realizuar transferimin e Rayanit, pasi Bournemouthi nuk ka asnjë dëshirë ta shesë në këtë fazë.
Ai ka një klauzolë lirimi prej 130 milionë funtesh (rreth 85 milionë euro) në kontratën e tij me Bournemouthin, por thuhet se kjo klauzolë mund të aktivizohet vetëm nga janari e tutje dhe do të ulet në afatet pasuese të transferimeve.
Sulmuesi Eli Junior Kroupi është gjithashtu një objektiv, por Liverpooli do të përballet me konkurrencë të fortë nga rivalët e tij në Premierligë.
Fabrizio Romano zbuloi se Arsenali dhe Manchester City kanë kontaktuar për të pyetur rreth situatës së 19-vjeçarit, pasi ai shënoi 13 gola për Bournemouthin sezonin e kaluar.
Bournemouthi besohet se është i bindur se Kroupi do të qëndrojë të paktën edhe një sezon, pas kualifikimit të klubit në Ligën e Evropës, por Arsenali dhe Manchester City duket se i kanë përshpejtuar planet për transferimin e tij.
Ndërkohë, Liverpooli po monitoron edhe yllin e RB Leipzigut, Yan Diomande, po ashtu 19-vjeçar, i cili shënoi 12 gola në sezonin e tij debutues në Bundesliga.
Raportohet se Liverpooli ka kontaktuar Leipzigun për një transferim të mundshëm, por Diomande lidhet gjithashtu me një kalim te PSG, klub të cilin e mbështeste që në fëmijëri./