Kupa e Botës është hapur me një ndeshje të fortë dhe plot emocione mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut, e zhvilluar në stadiumin historik “Azteca”.
Debutimi i turneut është mbyllur me fitoren 2-0 të Meksikës, në një sfidë me ritëm të lartë, episode vendimtare dhe polemika pas vërshëllimës së fundit.
Meksika e nisi ndeshjen nën presionin e madh të debutimit, por arriti të marrë kontrollin gradualisht dhe të sigurojë tre pikët e para në grup.
“Është një skenë shumë e madhe dhe kjo të bën të dridhen pak këmbët.
Më pas u stabilizuam me zotërimin e topit, hymë në zonën kundërshtare dhe nuk patëm probleme në mbrojtje.
Ndeshja përfundoi 2-0, por mund të ishte lehtësisht 4-0. Tifozët kanë të drejtë të fishkëllejnë, edhe pse unë nuk i dëgjova.
Gjëja më e rëndësishme janë tre pikët”, tha trajneri i Meksikës, Javier Aguirre.
Nga ana tjetër, Afrika e Jugut u ndëshkua edhe nga episodet, përfshirë kartonët e kuq që ndryshuan ekuilibrin e lojës, duke e detyruar skuadrën të luante me inferioritet numerik për pjesën më të madhe të sfidës.
“Për kartonin e parë të kuq nuk kam çfarë të them, por për të dytin mendoj se lojtari meksikan bëri faull. Arbitri vendosi ndryshe dhe është për të ardhur keq që e mbyllëm ndeshjen me nëntë lojtarë.
Në 20 minutat e para ndjemë presionin, pastaj dominuam zotërimin e topit dhe luajtëm mirë. Por bëmë dy gabime vendimtare që na kushtuan golat”, u shpreh trajneri i Afrikës së Jugut, Hugo Broos.
Një start i fortë i Botërorit, ku Meksika nis me fitore dhe tre pikë të plota, ndërsa Afrika e Jugut largohet me polemika dhe keqardhje për episodet që vendosën fatin e ndeshjes.
Në Grupin A kryesojnë Meksika dhe Koreja e Jugut me nga tre pikë.
Në ndeshjet e radhës, Afrika e Jugut përballet me Republikën Çeke më 18 qershor, ndërsa Meksika luan kundër Koresë së Jugut më 19 qershor.