Holandezët e sigurt apo japonezët e përpiktë: përgjigjen e jep përballja në Teksas

Futboll

Holandezët e sigurt apo japonezët e përpiktë: përgjigjen e jep përballja në Teksas

Nga: K.G. Më: 14 qershor 2026 Në ora: 17:33
Pamje nga një ndeshje

Stadiumi me kapacitetin më të madh dhe ku do të zhvillohen më së shumti ndeshje në Kampionatin Botëror të këtij viti, AT&T

Stadium në Teksas, do të jetë skena e një prej ndeshjeve më interesante të xhiros së parë të fazës grupore të Botërorit të 23-të.

Sonte në orën 22:00 sipas kohës së Evropës Qendrore, përballen Holanda dhe Japonia.

Edhe pse në Grupin F janë edhe Tunizia dhe Suedia, kjo ndeshje shihet si derbi absolut i grupit dhe ndoshta mund të jetë vendimtare për vendin e parë.

Selektori i “tulipanëve”, Ronald Koeman, është përballur me probleme pas dëmtimit të Jurriën Timber, i cili u detyrua të largohet në momentin e fundit nga lista e ekipit.

Në vend të tij pritet të ftohet Jan Paul van Hecke, për të cilin lidhet një histori interesante. Nëse ndjek traditën familjare, mbrojtësi i Brightonit do të duhet ta çojë Holandën deri në finale. Xhaxhai i tij, Jan Portvliet, ishte pjesë e mbrojtjes së Holandës në finalen e Botërorit 1978, ku “portokallinjtë” humbën ndaj Argjentinës pas kohës shtesë (3:1).

“Ndjenjë e madhe krenarie. Është fantastike të jesh këtu”, tha Van Hecke para mediave.

Probleme me dëmtim ka pasur edhe portieri Bart Verbruggen, ndërsa Memphis Depay ka pasur pak minuta në ndeshjet e fundit.

“E dimë që Depay ka pasur disa dëmtime dhe nuk ka luajtur shumë javët e fundit, por ai po rikthehet dhe çdo ditë është më afër formës maksimale. Ai është golashënuesi ynë më i mirë dhe na duhet”, tha Koeman.

Trajneri holandez ka besim në skuadrën e tij, por njëkohësisht respekton kundërshtarin.

“Kanë treguar se janë ekip shumë i fortë. Ne besojmë në veten tonë, respektojmë Japoninë, por ne jemi Holanda dhe ata do të na respektojnë. Do të jetë një ndeshje e vështirë dhe interesante”, tha ai.

Holanda ka katër medalje në histori (tre të argjendta dhe një të bronztë), por ende nuk e ka fituar titullin botëror.

Japonezët konsiderohen si një skuadër që mund të befasojë nga prapaskena.

Megjithatë, edhe ata kanë probleme me dëmtime. Wataru Endo është jashtë dhe ka njoftuar edhe përfundimin e karrierës me kombëtaren.

“U befasova kur dëgjova që Endo nuk do të luajë. Do të duhet të përshtatemi me lojtarët e mbetur”, tha mesfushori i “samurajëve”, Takefusa Kubo.

Skuadra e Hajime Moriyasu vjen me shumë vetëbesim.

Në gjashtë ndeshjet e fundit miqësore ka regjistruar gjashtë fitore, duke mposhtur edhe gjigantë si Brazili (3:2) dhe Anglia (1:0), si dhe Skocinë (1:0) dhe Ganën (2:0).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat