Wrexham po përgatit një lëvizje spektakolare për transferimin e Jamie Vardyt si lojtar i lirë, është raportuar, ndërsa sulmuesi legjendar tashmë ka “katër” oferta të mundshme në tavolinë.
“Red Dragons” nuk kanë arritur të fitojnë asnjërën nga tri ndeshjet e para në Championship këtë sezon, duke humbur dy prej tyre.
Ata pësuan humbje 2-1 ndaj Birmingham Cityt të premten mbrëma.
Skuadra e drejtuar nga Phil Parkinson pritet të ketë një ditë të ngarkuar në mbyllje të afatit kalimtar, pasi tashmë kanë arritur marrëveshje për transferimin e mesfushorit Callum O’Hare nga Sheffield United.
Deri tani, Wrexham ka shpenzuar rreth 25 milionë paund në këtë afat kalimtar, me Issa Kaboren, Ben Whiteman, Anthony Patterson, Jacques Ekomie dhe Danny Imray që i janë bashkuar klubit.
8 milionë paundët e shpenzuara për portierin Patterson, i cili u transferua nga Sunderland, përfaqësojnë një rekord të ri për Wrexham.
Ndërkohë, Vardy është lojtar i lirë që prej largimit nga skuadra italiane Cremonese, pas rënies së saj në Serie B. Gazetari Ben Jacobs ka raportuar se Wrexham është tashmë i interesuar për shërbimet e tij.
Vardy ka nisur edhe një podcast të ri, të titulluar “Jamie Vardy’s Having A Party”, ndërsa ka fituar të drejtat për transmetimin e shtatë ndeshjeve të Bundesligës të premteve mbrëma përmes kanalit të tij të ri në YouTube.
Vardy është lidhur me një numër klubesh, përfshirë West Hamin, që këtë sezon ka rënë nga Premierliga.
Edhe Sheffield Wednesday, klub në League One dhe skuadra e parë e Vardyt përpara se të lirohej në moshën 15-vjeçare, është e interesuar për të.
Wednesday është nën disa kufizime të EFL-së pasi doli nga administrimi nën pronarin e ri David Storch, por Storch deklaroi në fillim të gushtit se klubi do të “gjejë një mënyrë për t’i bërë një ofertë Jamie Vardyt”.
Sipas gazetarit të “Sky Sports”, Rob Dorsett, këto nuk janë klubet e vetme që duan të transferojnë Vardyn.
Ai ka përmendur gjigantin brazilian Sao Paulo si një opsion “të mundshëm”, krahas mundësisë së transferimit në MLS. MLS përdor sistemin e “Discovery Rights” për të përcaktuar se cili klub mund të negociojë me Vardyn nëse interesi arrin në atë fazë.
Dorsett shton se Vardy nuk është me nxitim për të zgjedhur klubin e tij të ardhshëm dhe do ta shtyjë vendimin deri pas mbylljes së afatit kalimtar.
Meqë tashmë është lojtar i lirë përpara mbylljes së afatit, ai mund të nënshkruajë me një klub të ri në çdo moment dhe të regjistrohet si pjesë e skuadrës së tij prej 25 lojtarësh.
“Jamie Vardy do të presë deri pas mbylljes së afatit kalimtar për të marrë një vendim për të ardhmen e tij”, shkroi Dorsett në X.
“Ofertat nga West Ham, Sheffield Wednesday, MLS dhe Sao Paulo mbeten ‘të mundshme’.”
Interesimi i Wrexhamit duket se është i ri sa i përket këtij afati kalimtar, megjithëse klubi ka pasur prej kohësh dëshirë për ta sjellë legjendën e Leicesterit në Racecourse Ground.
Në vitin 2025, drejtori ekzekutiv i Wrexhamit, Humphrey Ker, i kishte thënë “SPORTbible”: “Nuk ka asgjë që të thotë se Jamie Vardy nuk do të ishte një lojtar i madh i Wrexhamit. Nuk është një emër që më është përmendur më parë brenda klubit, por mosha dhe profili i tij nuk do të ishin pengesë për ne”.
Vardy shënoi shtatë gola në Serie A pas transferimit te Cremonese në fund të gushtit të vitit të kaluar, por nuk arriti ta ndihmonte skuadrën të shmangte rënien nga elita në ditën e fundit të sezonit.