Skënderbeu dhe Tirana do të përballen të premten, në kuadër të javës së katërt të “Abissnet Superiore”.
Sfida e cila do të zhvillohet në Korçë do të nisë prej orës 18:30.
Një përballje e cila i gjen të dyja skuadrat në situata plotësisht të ndryshme.
Pritësit e këtij dueli nuk e kanë arritur ende shijen e fitores së parë në kampionat, pas tre javësh në Superiore, dy humbje, vetëm një barazim dhe vendi i fundit në klasifikim.
Faktori “shtëpi” mund t’u vijë në ndihmë “djemve” të Julian Ahmataj, i cili do të ketë shansin ideal të largojë “hijet e zeza” në tre javët e para.
Sa i takon bardhebluve, pas fitores me “poker” përballë Vorës në “Selman Stërmasi”, 4-0, te skuadra është rikthyer optimizmi për të ndjekur të njëjtën ecuri rezultatesh.
Fakti që reparti ofensiv është “zgjuar”, ku spikati Drilon Hazrollaj me dopietë, teksa shënuan gjithashtu Tomislav Kis dhe Redon Xhixha, pikërisht në momentin që më shumë duhej, bën të kuptohet se Dean Klafuriç i ka “armët” e duhura për të sulmuar korçarët.