Portieri shpëtoi Bosnjën dhe Hercegovinën nga humbja

Futboll

Portieri shpëtoi Bosnjën dhe Hercegovinën nga humbja

Më: 25 shtator 2026 Në ora: 23:23
Pamje nga ndeshja

Kombëtarja e Polonisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës u ndanë në barazim 0:0 në ndeshjen e xhiros së parë të Ligës B të Kombeve, në stadiumin “PGE Narodowy” në Varshavë.

Në një ndeshje shumë të fortë, taktike dhe në momente mjaft nervoze, heroi i skuadrës së drejtuar nga Sergej Barbarez ishte portieri Martin Zlomisliq. Bosnja dhe Hercegovina, pavarësisht një goli të anuluar dhe tensioneve me gjyqtarët, arriti të marrë një pikë të rëndësishme në këtë udhëtim të vështirë.

Bosnja e nisi ndeshjen me shumë guxim dhe gjatë 30 minutave të para kishte kontroll të plotë të lojës, duke pasur edhe 61% të posedimit të topit. Megjithatë, pavarësisht iniciativës së mirë në fushë, rastet e rrezikshme munguan deri në fundin e pjesës së parë.

Edhe pse Bosnja kishte më shumë posedim dhe la përshtypje të mirë në fazën fillestare, Polonia e rriti presionin në minutat e fundit të pjesës së parë.

Në minutën e 43-të, u dallua Martin Zlomisliq, ish-portieri i Rijekës.

Szymański u gjend në një pozicion shumë të mirë brenda zonës së rreptësisë dhe gjuajti rrezikshëm, por Zlomisliq ishte në vendin e duhur. Ai reagoi shkëlqyeshëm dhe me një pritje të sigurt largoi rrezikun më të madh përpara portës së tij, duke e mbajtur portën të paprekur para pushimit.

Pjesa e dytë solli një lojë shumë më dinamike dhe presion më të madh nga vendasit.

Momenti kryesor për mbrojtjen boshnjake erdhi në minutën e 55-të, kur polakët, brenda të njëjtit aksion, e rrezikuan portën dy herë me goditje të fuqishme.

Zlomisliq reagoi në mënyrë fantastike, veçanërisht ndaj goditjes së Szymanskit, dhe me një ndërhyrje të jashtëzakonshme e shpëtoi kombëtaren e tij nga pësimi i golit.

Tensionet pranë vijës anësore arritën kulmin në minutën e 57-të, kur trajneri Sergej Barbarez mori karton të verdhë.
Për shkak të protestave të forta dhe të vazhdueshme ndaj vendimeve të gjyqtarit grek Anastasios Papapetrou, Barbarez humbi durimin dhe gjyqtari u detyrua ta qetësonte duke i dhënë vërejtje zyrtare.

Bosnja u kundërpërgjigj në minutën e 72-të pas një goditjeje nga këndi. Topi arriti te Allajbegoviq, i cili gjuajti rrezikshëm nga një pozicion diagonal në anën e majtë, por portieri polak Bulka reagoi mirë.

Në fund të ndeshjes, vendasit patën edhe disa mundësi të mira, por Zlomisliq ishte pengesë e pakapërcyeshme dhe takimi përfundoi me rezultat 0:0.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat