Lamine Yamal ishte protagonist që në minutat e para të fitores së Spanjës ndaj Anglisë, duke shënuar golin e parë në triumfin 3-2 në Wembley.
Sulmuesi i Barcelonës përfitoi nga një gabim i Marc Guéhit, duke i marrë topin mbrojtësit anglez dhe duke realizuar në përballje me portierin James Trafford.
Goli erdhi pas më pak se dy minutash lojë dhe i dha Spanjës një start perfekt në ndeshjen e parë të Nations League.
Pas përfundimit të ndeshjes, Yamal foli për TVE, ku shpjegoi se presingu i lartë ishte pikërisht ajo që trajneri Luis de la Fuente u kërkon lojtarëve të tij.
“Trajneri na shtyn shumë të bëjmë presing lart, të besojmë se do ta fitojmë topin dhe kjo është ajo që bëra. Gjithmonë përpiqem ta ndihmoj ekipin. Ndonjëherë humb fokusin, por ndonjëherë e fitoj topin, gjendem një kundër një dhe arrij të shënoj”, tha Yamal.
Talenti spanjoll foli edhe për faktin se Anglia pati periudha të gjata me posedimin e topit, duke thënë se kjo nuk e shqetëson Spanjën për shkak të shpejtësisë së lojtarëve të saj.
“Ne nuk shqetësohemi nëse skuadra tjetër e ka topin, sepse jemi lojtarë shumë të shpejtë dhe dimë të luajmë në kundërsulm. Duhet ta dish se cili është roli yt në çdo ndeshje dhe ne dimë ta bëjmë këtë”, shtoi Yamal.
Spanja në fund e përmbysi rezultatin dhe fitoi 3-2 në Wembley, me golat e Yamal, Álex Baena dhe Mikel Oyarzabal.