Balaj dhe Gurishta mbeten pikat e referimit

Futboll

Balaj dhe Gurishta mbeten pikat e referimit

Më: 27 shtator 2026 Në ora: 17:13
Balaj

Vllaznia e sezonit 2026-27 duket se ka mbetur me më pak liderë në organikën e saj. Në radhët e kuqebluve tashmë janë vetëm dy figura që mbajnë peshën e një lideri të vërtetë, Bekim Balaj dhe Erdenis Gurishta. Të dy veteranë dhe me shumë eksperiencë, ata vijojnë të jenë pika të forta për skuadrën, si në fushën e lojës, ashtu edhe në dhomat e zhveshjes.

Balaj, kapiteni dhe një prej figurave më të rëndësishme të ekipit, vazhdon të jetë referenca kryesore në repartin ofensiv dhe për grupin në tërësi. Në krahun tjetër, Gurishta mbetet një nga lojtarët me më shumë eksperiencë dhe autoritet në skuadër. Dy futbollistë që mund të udhëheqin grupin në një moment të vështirë, por që këtë sezon kanë më pak mbështetje nga figura të tjera me të njëjtin profil.

Në krahasim me edicionin e kaluar, Vllaznia ka humbur disa prej liderëve të saj. Portieri Pohls, Mala, Kallaku, Hakaj dhe Krymi janë larguar gjatë kësaj vere, duke lënë pas jo vetëm boshllëqe në formacion, por edhe një mungesë të dukshme të personalitetit. Bëhej fjalë për futbollistë që kishin krijuar eksperiencë me fanellën kuqeblu dhe kishin një rol të rëndësishëm brenda grupit. Rindërtimi i skuadrës gjatë merkatos ka sjellë shumë emra të rinj, por përvoja dhe personaliteti nuk zëvendësohen gjithmonë menjëherë.

Për një ekip që ka ndryshuar ndjeshëm në krahasim me sezonin e kaluar, mungesa e disa prej këtyre figurave mund të ndihet sidomos në momentet kur ndeshjet kërkojnë qetësi, reagim dhe drejtim nga brenda fushës.

Dhe starti i këtij sezoni duket se po e konfirmon këtë problem. Vllaznia ka hasur vështirësi për të menaxhuar situatat e ndeshjeve, duke humbur avantazhe dhe duke mos gjetur reagimin e duhur në momente të caktuara.

Në një skuadër ende në kërkim të identitetit, pesha e Balajt dhe Gurishtës bëhet edhe më e madhe.

Për kuqeblutë, sfida tashmë nuk është vetëm të gjejnë ekuilibrin në fushë, por edhe të krijojnë liderët e rinj të këtij grupi. Balaj dhe Gurishta mbeten dy pikat kryesore të eksperiencës, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës duhet të marrë gradualisht më shumë përgjegjësi. Një element që, në këtë start të vështirë të edicionit, Vllaznia duket se po e paguan me pikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat