Pedri e zbulon zhgënjimin e Yamalit

Futboll

Pedri e zbulon zhgënjimin e Yamalit

Më: 7 tetor 2026 Në ora: 11:33
Pamje nga ndeshja

Lamine Yamal vazhdon të impresionojë me paraqitjet e tij me Spanjën, por pavarësisht fitores 2-1 ndaj Kroacisë, ylli i Barcelonës nuk ishte aspak i kënaqur me performancën e tij.

Këtë e ka zbuluar shoku i tij i skuadrës, Pedri, i cili ka treguar se Yamal ishte i zhgënjyer pas ndeshjes për shkak të rasteve të humbura dhe mungesës së golit.

“Edhe një ndeshje e madhe. I mungoi saktësia dhe ajo finesa që e ka treguar në ndeshjet e mëparshme. Por ai largohet shumë i zemëruar kur e zhvillon një ndeshje të mirë dhe i humbet rastet që pati sot. Edhe në stol ishte pak i zemëruar”, deklaroi Pedri.

Yamal ishte njëri prej lojtarëve më të rrezikshëm të Spanjës në përballjen e zhvilluar në Split. Edhe pse nuk arriti të shënonte, ai krijoi vazhdimisht probleme për mbrojtjen kroate me driblimet dhe lëvizjet e tij.

Sipas Pedrit, kjo e tregon mentalitetin e veçantë të 19-vjeçarit, i cili kërkon gjithmonë më shumë nga vetja.

“Është një djalë që kërkon shumë nga vetja. Gjithmonë dëshiron të shënojë dhe të kontribuojë për ekipin. Edhe kur nuk shënon apo nuk asiston, ai jep shumë, sepse tërheq disa lojtarë kundërshtarë dhe krijon hapësira për të tjerët”, shtoi mesfushori i Barcelonës.

“Është një lojtar diferencial që na jep shumë. Për fat të mirë e kemi në kombëtare dhe te Barcelona”, përfundoi Pedri.

Spanja e përmbysi Kroacinë dhe mori një fitore të rëndësishme, ndërsa Yamal tashmë do të synojë ta shndërrojë zhgënjimin e tij në motivim për ndeshjet e ardhshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat