Ish-sulmuesi i Barcelonës dhe i Kombëtares së Spanjës, Pedro Rodriguez, ka njoftuar të mërkurën tërheqjen e tij nga futbolli i luajtur.
Futbollisti 39-vjeçar e bëri të ditur vendimin përmes një mesazhi prekës të publikuar në rrjetet sociale, duke thënë se ka ardhur momenti për të nisur një kapitull të ri në jetën e tij.
“Ndjej se ka ardhur koha. Është koha të bëj një hap përpara dhe të filloj një kapitull të ri në jetën time. Largohem nga fusha krenar që kam arritur ëndrrën time dhe krenar për të gjithë ata që më mbështetën në arritjen e saj. Faleminderit futboll, që më bëre kaq të lumtur”, shkroi Pedro.
Pedro u rrit në akademinë e Barcelonës dhe u bë pjesë e ekipit të parë nën drejtimin e Pep Guardiolës, duke u shndërruar në një nga lojtarët e rëndësishëm të një prej skuadrave më të suksesshme në historinë e klubit katalunas.
Me Barcelonën, ai fitoi gjashtë tituj të La Ligës, ndërsa ishte pjesë e skuadrës që realizoi tripletën historike. Gjatë periudhës së tij në “Camp Nou”, Pedro ndau fushën me disa prej futbollistëve më të mëdhenj të epokës, përfshirë Lionel Messin.
Sukseset e tij nuk u kufizuan vetëm te futbolli i klubeve. Me Spanjën, Pedro ishte pjesë e gjeneratës së artë që fitoi Kupën e Botës në vitin 2010 dhe Kampionatin Evropian më 2012.
Pas largimit nga Barcelona, ai vazhdoi karrierën në Premier League me Chelsean, me të cilin fitoi edhe titullin e kampionit të Anglisë dhe Ligën e Evropës.
Më pas, Pedro u transferua në Serie A, ku veshi fanellën e Lazios, duke e mbyllur karrierën si një prej futbollistëve spanjollë më të dekoruar të gjeneratës së tij.
Me vendimin për t'u pensionuar, Pedro i jep fund një karriere të pasur me trofe, në të cilën fitoi pothuajse gjithçka që mund të fitojë një futbollist.