Problemet që e kanë përcjellë David Alabën që nga transferimi si lojtar i lirë nga Bayern Munihu te Real Madridi, po vazhdojnë edhe pas largimit të tij nga skuadra madrilene.
Mbrojtësi austriak e pati të vështirë të gjente një klub të ri, por në fund pranoi ofertën e Udineses.
Megjithatë, as aventura e tij te skuadra italiane nuk ka nisur në mënyrën më të mirë.
Udinese po kalon një periudhë të vështirë, me pesë humbje në pesë ndeshjet e fundit, ndërsa Alaba ka pësuar edhe një lëndim që pritet ta mbajë jashtë fushave për disa javë.
Klubi italian ka konfirmuar se ekzaminimet mjekësore kanë zbuluar një lëndim muskulor, për të cilin mbrojtësit me përvojë do t'i nevojitet pushim disa javor, duke humbur kështu stërvitjet dhe ndeshjet e ardhshme të skuadrës.
Udinese në krizë rezultatesh dhe me mungesa të shumta
Përveç rezultateve negative, Udinese po përballet edhe me probleme të mëdha për shkak të lëndimeve të futbollistëve.
Para Alabës, në listën e lojtarëve të lënduar ishin përfshirë edhe Zaniolo, Bayo dhe Gueye.
Kështu, skuadra nga Udine po përballet me një situatë të vështirë në një moment kur i nevojiten rezultate pozitive për t'u rikthyer në rrugën e duhur.
Për Alabën, ky lëndim është një tjetër goditje pas një periudhe të vështirë, ndërsa mbetet të shihet se kur do të jetë në gjendje të rikthehet në fushë dhe të ndihmojë skuadrën e tij të re.