Debutoi në Serinë A, e ardhmja e sulmit të Shqipërisë

Futboll

Debutoi në Serinë A, e ardhmja e sulmit të Shqipërisë

Më: 22 tetor 2026 Në ora: 19:19
Gabriel Kulla

Gabriel Kulla e ka nisur këtë sezon me ekipin e të rinjve të Sasuolos me një ritëm të pabesueshëm, pasi ka shënuar deri tani 5 gola, duke treguar se është një hap para të tjerëve sa i përket efikasitetit para portës.

Sulmuesi i talentuar, i cili debutoi pak javë më parë edhe në Serinë A me ekipin e parë, u shpall golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar për kampionatin të rinjve në Itali me 16 gola, ndërsa duket se mund ta tejkalojë lehtësisht atë shifër në edicionin aktual.

Sipas portalit të njohur për futbollin e moshave në Itali, “Mondo Primavera”, kjo rritje e Kullës po shtyn klubin drejt një vendimi që duhet marrë në janar sa i përket këtij futbollisti me të ardhme të garantuar.

Sulmuesi i cili ka shkëlqyer edhe me Kombëtaret e moshave të Shqipërisë, mund të bashkohet me ekipin e parë dhe të fillojë të marrë minuta për të mos frenuar rritjen e tij, edhe pse shumë të kufizuara.

Ose në të kundërt, po mendohet që t’i jepet mundësia që të provojë futbollin e të rriturve me më shumë rregullsi, duke e dhënë në huazim në Serinë C apo B, në mënyrë që të tregojë sa vlen duke u përballur me më të rriturit.

Ky padyshim do ishte hapi i radhës i rëndësishëm për Kullën, i cili është një nga emrat më të vlerësuar të së ardhmes së Shqipërisë dhe ka një vlerë kartoni prej 1,4 milionë eurosh, edhe pse është vetëm 18-vjeçar.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat