Elia Caprile u pajis ditën e djeshme me pasaportën shqiptare, pas një dekreti të miratuar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Portieri i Cagliarit në Serie A, mori “dritën jeshile” për t’u quajtur një shtetas shqiptar, krahas pasaportës italiane.
Ky vendim i Capriles erdhi edhe si një shtysë e bashkëshortes së tij me origjinë shqiptare Emili Toshkollari.
Megjithatë, në një “tablo” të paraqitur nga gazetari sportiv, Gentjan Alinani, rezulton se duhet plotësuar disa kushte që Caprile të veshë fanelën e Kombëtares, gjithmonë nëse FSHF tregon interesin për ta ftuar në gjirin e tyre.
Së pari, duhet bërë një kërkesë në FIFA nga vetë Federata dhe kjo e fundit ta miratojë.
E dyta, institucioni më i lartë i futbollit e jep lejen nëse ke lindur në territorin e federatës me të cilën kërkon të luash, nëse prindërit ose gjyshërit kanë lindur aty.
E treta, vullneti i lojtarit. Elia Caprile duhet të shprehë publikisht që do të luajë për Shqipërinë dhe ta paraqesë si kërkesë te FIFA. Vetë Caprile nuk ka zhvilluar asnjë paraqitje me Kombëtaren A të Italisë dhe ndryshimi do të ishte thjesht procedural.
Mirëpo, për të parë ish-kampionin e Italisë me Napolin dhe shokun e skuadrës së Alen Sherrit, portierit tjetër të kuqezinjve, me këtë fanelë, do të duhet të zbatohen këto kushte.