Futbollisti Albian Ajeti po përjeton një rilindje në karrierën e tij te FC Lugano, pas muajve të vështirë të kaluar në Basel. Ish-trajneri i tij, Thomas Haberli, shpjegon pse ish-futbollisti i tij ka bërë hapin e duhur.
Gjashtë gola në dhjetë ndeshje, fillimi i Albian Ajetit te Lugano vështirë se mund të ishte më i mirë.
Mesatarisht, sulmuesit i duhen rreth 60 minuta për të shënuar një gol.
Një bilanc mbresëlënës, sidomos kur merret parasysh se periudha e tij e fundit te FC Basel ishte shumë më e vështirë.
“Muajt e fundit kanë qenë jashtëzakonisht të vështirë për Albianin“, kishte deklaruar Mattia Croci-Torti (44), kur Ajeti iu bashkua Luganos në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës. Vetëbesimi i sulmuesit kishte rënë në nivelin më të ulët. Megjithatë, trajneri i Luganos arriti që brenda një kohe të shkurtër ta motivojë Ajetin dhe t'ia rikthejë besimin në vetvete.
Një person që e njeh mirë Albian Ajetin dhe karakterin e tij është Thomas Häberli (52). Të dy kishin punuar dikur së bashku te skuadra U21 e Baselit.
“Albiani ka nevojë për besim dhe për një lidhje të afërt me trajnerin.
Ai është një person shumë familjar dhe paraqitjet e tij i vlerëson kryesisht përmes numrit të golave që shënon“, e përshkruan Haberli ish-futbollistin e tij.
Nën drejtimin e Häberlit, Ajeti kishte shënuar 23 gola, më shumë se nën drejtimin e çdo trajneri tjetër.
“Ai erdhi te unë në ekipin U21 kur ishte vetëm 16 vjeç. Në atë kohë dëshironte ta pushtonte botën dhe të ngjitej sa më shpejt në ekipin e parë. Kur ndien besim, ai është në gjendje t'i shfaqë të gjitha cilësitë e tij“, kujton Häberli.
Kohët e fundit, kjo gjë nuk ndodhte më te Baseli. Pas fitimit të titullit të kampionit me FCB-në, për Ajetin pasoi një periudhë e vështirë. Ai u kritikua disa herë publikisht, pasi paraqitjet e tij si sulmuesi kryesor i Baselit nuk i kishin përmbushur pritshmëritë.
Në fund, marrëdhënia me trajnerin Stephan Lichtsteiner (42) nuk funksiononte më. Për këtë arsye, sulmuesi kërkoi një sfidë të re, në mënyrë që diku tjetër të binte sërish në sy me paraqitjet e tij.
Ajeti është në një mision
Në Lugano duket se po ia del. Në këtë qytet të njohur për klimën e tij të butë dhe me diell, Ajeti po përjeton një rini të dytë në karrierë.
“Ai dëshiron t'ua dëshmojë të gjithëve se çfarë është në gjendje të bëjë. Pikërisht ky motivim e shtyn përpara. Në fakt, cilësitë e tij nuk i ka humbur kurrë.
Ndonjëherë thjesht rrethanat nuk janë të përshtatshme. Shpresoj që në moshën 29-vjeçare të arrijë edhe një herë t'i përsërisë paraqitjet e viteve të para të karrierës“, thotë Haberli.
Vitet e para të Ajetit si futbollist profesionist kishin premtuar shumë. Në gusht të vitit 2019, ai u transferua nga Baseli te West Ham United për rreth 12 milionë franga zvicerane. Më pas karriera e tij vazhdoi te Celtic Glasgow, Sturm Graz dhe Gaziantep FK.
Megjithatë, shpërthimi i madh në nivelin më të lartë të futbollit nuk ndodhi ashtu siç pritej. Përfundimisht, ai u kthye në futbollin zviceran.
Zhvillim i ngjashëm me atë të Tabakoviqit?
A do të arrijë Ajeti të gjejë te Lugano vazhdimësinë që i kishte munguar kohëve të fundit?
Haberli beson se Ajeti mund të përjetojë një zhvillim të ngjashëm me atë të Haris Tabakoviqit (32), i cili shpërtheu në karrierë në moshën 28-vjeçare.
“Mund ta imagjinoj shumë mirë që Albiani të përfundojë në krye të renditjes së golashënuesve. Lugano ka një skuadër që e furnizon me topa. Prandaj, shumë gjëra janë të mundshme“, shprehet Haberli.
Ai ka pritshmëri të larta jo vetëm për Ajetin, por edhe për klubin e tij të ri.
“I uroj Luganos që ta vazhdojë këtë ecuri dhe të arrijë ta fitojë titullin e kampionit”.
A e ka bërë Ajeti zgjedhjen e duhur me kalimin në kantonin e Tiçinos? Për Haberlin, përgjigjja është tashmë e qartë:
“Mendoj se ai ka bërë gjithçka siç duhet që tani”.
“Çdo baselas dëshiron të luajë për FCB-në“
Të dielën, në AIL Arena, Ajetin e pret një tjetër përballje me ish-klubin e tij, Baselin. Kjo do të jetë hera e dytë që ai takohet me ish-skuadrën pas largimit.
Ndryshe nga përballja e parë, këtë herë Ajeti mund të jetë edhe në formacionin startues.
“Për çdo baselas është diçka e veçantë të luajë kundër FCB-së. Në fakt, çdo baselas dëshiron të luajë për këtë klub, përveç ndoshta atyre që aktivizohen jashtë vendit“, thotë Haberli.
Edhe drejtuesit e klubit të Baselit duhet ta kenë të qartë këtë gjë. Për më tepër, FCB-ja pikërisht tani do të kishte shumë nevojë për një sulmues në formën që po kalon Ajeti.
Në vend të kësaj, Baselit i duhet të shikojë se si Ajeti, i huazuar te Lugano, po ndihmon një rival të drejtpërdrejtë të bëhet më i fortë.