Grasshoppers synon fitoren e parë nën drejtimin e Janssenit

Futboll

Grasshoppers synon fitoren e parë nën drejtimin e Janssenit

Më: 7 nëntor 2026 Në ora: 12:10
Kapiteni Amir Abrashi (djathtas) me bashkëlojtarë

Ndeshja mes dy skuadrave të fundit të tabelës, Grasshoppersit dhe Lausanne-Sportit, në kuadër të xhiros së 13-të të Superligës zvicerane, që zhvillohet të shtunën, pritet të jetë me rivalitet.

Ende nuk është thyer akulli. Olaf Janssen i ka drejtuar Grasshoppersit në tri ndeshje të Superligës, por skuadra ende nuk ka arritur t'i dhurojë një fitore.

Pas debutimit me humbje 0:2 kundër Young Boysit, skuadra arriti të marrë një pikë me barazimin 0:0 në Basel dhe së fundmi barazoi 2:2 kundër Vaduzit.

Këto rezultate, por mbi të gjitha përshtypjet nga ndeshjet e fundit, e kanë përforcuar bindjen e trajnerit 60-vjeçar se «jemi në rrugën e duhur. Kjo ndihet mirë».

Ai sheh përparim në të gjitha aspektet: në kompaktësinë e skuadrës dhe në mentalitetin me top dhe pa top. Njëkohësisht, Janssen e pranon se ka ende shumë punë përpara.

Megjithatë, sipas tij, lojtarët janë të gatshëm ta bëjnë këtë punë.

“Ne kemi kohë për këtë. E rëndësishme është që ne dhe njerëzit jashtë skuadrës ta vërejmë se po bëjmë hapa përpara. Kjo na jep më shumë besim», thekson ai.

“Ndjehet vullneti dhe uria për ta fituar ndeshjen e parë të kampionatit që nga ardhja ime», thotë Janssen, i cili ka rreth një muaj në krye të skuadrës.

Një moment ideal për ta arritur fitoren e parë do të ishte pikërisht përballja e së shtunës, në shtëpi, kundër Lausanne-Sportit.

Lausanne vjen pas ditëve dramatike

Skuadra nga kantoni i Vaud-it ka kaluar ditë të trazuara. Të dielën e kaluar, pikërisht në ditëlindjen e 130-të të klubit, Lausanne shpërdoroi një epërsi prej 4:1 në minutat e fundit kundër FC Thunit dhe përfundimisht humbi me rezultat 4:5.

Ndërkohë, në stolin e skuadrës është rikthyer Ludovic Magnin, i cili ka nisur misionin e tij të dytë te klubi nga Vaud-i.

Kujdes nga një kundërshtar i “plagosur”

Duke folur për kundërshtarin, Janssen vlerëson se ditët e fundit të Lausanne-s “ngjajnë me një film horror”.

Sipas tij, asnjë skuadre nuk do t'ia dëshironte një humbje kaq dramatike.

Megjithatë, pas ndryshimit të trajnerit, Grasshoppersi do të përballet me një skuadër jashtëzakonisht të motivuar.

Trajneri gjerman beson se Magnin ka pasur mundësi t'i rikthejë lojtarët e tij në gjendjen e duhur, pavarësisht kohës së shkurtër në dispozicion.

“Ai me siguri do të arrijë t'ua largojë frikën lojtarëve të rinj. Prandaj, ne përgatitemi për një detyrë të komplikuar”, thotë Janssen.

Megjithatë, ai beson se GC-ja mund t'i kundërvihet këtij kundërshtari. Këtë bindje e mbështet te një grup lojtarësh që po bashkohet gjithnjë e më shumë.
“Dhe te djemtë që po bëhen gjithnjë e më të qartë në lojën e tyre», përfundon Janssen.

Të dhënat e ndeshjes

Ndeshja:* Grasshoppers – Lausanne-Sport
Kampionati:* Superliga zvicerane, xhiroja e 13-të
Stadiumi:* Letzigrund, Cyrih
Ora: 20:30

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat