Shkëndija e Haraçinës e pret me shumë optimizëm përballjen kundër Arsimit në Gostivar. Fitorja ndaj Bashkimit dhe barazimi me Tikveshin në xhiron e fundit kanë rritur atmosferën pozitive në radhët e skuadrës nga Haraçina.
“Udhëtojmë drejt Gostivarit në një nga momentet tona më pozitive të këtij sezoni.
Grupi është i kompletuar, i motivuar dhe plotësisht i vetëdijshëm për sfidën që na pret.
Jemi maksimalisht të përgatitur për t'i zbatuar detyrat tona në fushë dhe për të dhënë gjithçka nga vetja, në mënyrë që të arrijmë një rezultat pozitiv që përputhet me objektivat tona“, deklaroi kapiteni i Shkëndijës së Haraçinës, Besir Demiri.
Në tri përballjet e deritanishme ndërmjet Arsimit dhe Shkëndijës së Haraçinës, bilanci është i barabartë. Secila skuadër ka nga një fitore, ndërsa një ndeshje ka përfunduar në barazim.
Megjithatë, Arsimi ka shënuar fitore në përballjen e vetme në elitën e futbollit vendor, kur në stadiumin e Çairit e mposhti Shkëndijën e Haraçinës me rezultat 2:0.
Ndeshja ndërmjet Arsimit dhe Shkëndijës së Haraçinës do të zhvillohet në stadiumin e Gostivarit, me fillim në orën 13:00. Gjyqtar kryesor i takimit do të jetë Plarent Salihi.