Ish futbollisti Xhevat Prekazi ka vdekur të dielën, më 8 nëntor, në moshën 69-vjeçare.
Deri më tani nuk është bërë i ditur shkaku i vdekjes së ish-futbollistit, raportojnë mediumet serbe.
I lindur në Mitrovicë, Prekazi e kaloi pjesën më të madhe të karrierës dhe jetës në Serbi, te Partizani i Beogradit.
Gjatë karrierës së tij, Prekazi luajti edhe për Hajdukun e Splitit, me të cilin fitoi Kupën e ish-Jugosllavisë, si dhe për skuadrën amerikane Baltimore Blast.
Një periudhë të rëndësishme të karrierës e kaloi edhe te Galatasaray, ku qëndroi për gjashtë sezone dhe dy herë u shpall kampion i Turqisë.
Prekazi ka luajtur edhe për Remontin e Mitrovicës.
Ai veshi gjithashtu fanellat e Altay dhe Bakirkoyspor, ndërsa karrierën si futbollist profesionist e përfundoi në vitin 1991 te Trudbeniku.
Ai drejtoi në dy raste skuadrën e Zheleznikut, ndërsa punoi edhe me grupmoshat e reja të OFK Beogradit, Singjeliqit dhe Partizanit.
Në vitin 2023, Prekazi kishte pësuar një goditje në tru, nga e cila kishte arritur të rikuperohej me sukses.
Gjatë viteve, ish-futbollisti mitrovicas kishte dhënë disa deklarata që kishin nxitur diskutime për raportin e tij me Kosovën dhe Serbinë, sidomos për faktin se, ndonëse vinte nga një familje shqiptare, Beogradin e konsideronte qytetin e tij.
“Beogradin e konsideroj qytetin tim, pasi aty kam filluar karrierën dhe jam bërë futbollist me emër. Në këtë qytet kam kaluar vitet e mia më të bukura”, kishte deklaruar Prekazi.
“Nuk kam qenë kurrë kundër Kosovës, por e vetmja gjë që më ka interesuar ka qenë futbolli”, ishte shprehur ai.
Megjithatë, në një intervistë të vitit 2023, Prekazi kishte folur edhe në gjuhën shqipe, duke rikujtuar prejardhjen e tij familjare.
“Unë jam nga Mitrovica. Familja ime është nga Mitrovica. Nga babai dhe nëna, të gjithë kanë lindur në Mitrovicë”, kishte thënë ai.