Endrick mund të largohet nga Real Madridi gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi synon të gjejë një klub ku do të ketë më shumë hapësirë për të luajtur dhe për të vazhduar zhvillimin e tij.
Sipas gazetës spanjolle “AS”, sulmuesi brazilian ka vendosur të kërkojë një destinacion të ri, ndërsa interesim për të kanë shfaqur Roma dhe Sporting Lisbona.
“AS” raporton se Sportingu tashmë ka ndërmarrë hapa për transferimin e tij, ndërsa Roma vazhdon të jetë e interesuar për shërbimet e 20-vjeçarit.
Trajneri i klubit portugez, Paulo Fonseca, i cili e drejtoi Endrickun te Lyoni, thuhet se e kërkon personalisht afrimin e tij.
Braziliani nuk po gjen hapësirën e dëshiruar te Real Madridi. Sipas “AS”, ai ka regjistruar vetëm 140 minuta në shtatë paraqitje këtë sezon, duke qenë titullar vetëm në një ndeshje.
Vetë Endrick, në konferencën për shtyp me Kombëtaren e Brazilit, nuk e përjashtoi mundësinë e largimit, por theksoi se ende nuk e di se çfarë do të ndodhë në janar.
“Nuk e di çfarë do të ndodhë në janar. Dua vetëm të luaj, të jem i lumtur, të shënoj gola, të jap asistime dhe t’i ndihmoj bashkëlojtarët”, deklaroi ai.
Endrick foli me shumë pozitivitet edhe për periudhën e kaluar te Lyoni, ku në 21 paraqitje shënoi tetë gola dhe regjistroi shtatë asistime.
Megjithatë, largimi i tij ende nuk është zyrtarizuar dhe futbollisti po shqyrton mundësitë për të ardhmen.
Sipas “AS”, nuk përjashtohet as mundësia e një transferimi të përhershëm, nëse Real Madridi arrin të ruajë kontrollin mbi të ardhmen e lojtarit përmes një klauzole riblerjeje.