Pushimet treminutëshe për hidratim gjatë ndeshjeve të futbollit mund të aplikohen edhe në Kupën e Botës 2030.
Dokumentet e publikuara nga FIFA, në kuadër të procesit të shitjes së të drejtave televizive për turneun e ardhshëm, lënë të hapur mundësinë që ndërprerjet në secilën pjesë të ndeshjes të vazhdojnë edhe në edicionin që do të organizohet nga Spanja, Portugalia dhe Maroku.
Sipas “The Guardian”, dokumentet e tenderit parashikojnë mundësinë që transmetuesit televizivë të shfrytëzojnë këto intervale për transmetimin e reklamave, duke i kthyer pushimet në një burim të rëndësishëm të ardhurash.
Megjithatë, FIFA nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar nëse ky sistem do të jetë pjesë e Botërorit 2030.
Në këtë edicion, shumica e ndeshjeve do të zhvillohen në Spanjë, Portugali dhe Marok, ndërsa tre takimet hapëse janë planifikuar në Amerikën e Jugut.
Pushimet për hidratim u aplikuan për herë të parë në të 104 ndeshjet e Kupës së Botës 2026. Sipas këtij rregulli, loja ndërpritet për tre minuta në secilën pjesë, pavarësisht temperaturave apo kushteve atmosferike.
Arsyeja zyrtare e vendosjes së këtij sistemi ishte mbrojtja e shëndetit të futbollistëve dhe garantimi i kushteve më të mira fizike gjatë lojës.
Por përtej aspektit sportiv, këto ndërprerje rezultuan një mundësi e madhe komerciale për televizionet, të cilat mund të transmetonin reklama gjatë pushimeve.
Të ardhurat nga reklamat e transmetuara në këto intervale gjatë Botërorit 2026 vlerësohet se arritën nga 2 deri në 9 milionë dollarë për ndeshje.
Ndërkohë, të ardhurat e përgjithshme nga reklamat për transmetuesin Fox arritën në 835 milionë dollarë, pothuajse dyfishin e 485 milionë dollarëve që kompania pagoi për të drejtat televizive.
Ndryshe nga turneu i meshkujve, në Kupën e Botës për Femra, që do të zhvillohet në Brazil në vitin 2027, nuk parashikohen pushime të detyrueshme për hidratim.