Përzgjedhësi i Spanjës U18, David Cubillo, ka pranuar se mungesa e Christian Imgas është një goditje e rëndësishme për skuadrën, por është shprehur i bindur se ekipi do të arrijë ta përballojë këtë situatë.
Në prag të ndeshjes ndaj Fixhit në Kampionatin Botëror U17 në Katar, Cubillo ka folur për gjendjen e skuadrës dhe mungesën e futbollistit të Athletic Bilbaos.
Ai ka theksuar se shumica e lojtarëve janë rikuperuar mirë, ndonëse koha e shkurtër mes ndeshjeve paraqet vështirësi për disa prej tyre.
Sa i përket mungesës së Imgas, trajneri spanjoll nuk e ka fshehur rëndësinë e tij.
“Ndikon shumë. Ai po kalon një moment të shkëlqyer, sapo ka rinovuar me Athletic Club Bilbao dhe është shpallur lojtari më i mirë në turneun e zhvilluar në Zvicër, ku morën pjesë ekipe si Brazili, Anglia, Kolumbia dhe Japonia. Ai bën diferencën”, ka deklaruar Cubillo.
Megjithatë, përzgjedhësi është shprehur optimist se skuadra ka alternativa të mjaftueshme për ta përballuar mungesën e tij.
“E dinim se mund të përballeshim me probleme të tilla, prandaj kemi marrë katër lojtarë të specializuar për krahët dhe kemi futbollistë të shumanshëm. Të gjithë së bashku do të japim pak më shumë, në mënyrë që mungesa e Christianit të mos vërehet”, ka shtuar ai.
Cubillo ka theksuar gjithashtu rëndësinë e kontributit të të gjithë futbollistëve gjatë një turneu me kalendar të ngjeshur, duke nënvizuar se secili do ta ketë mundësinë për të dëshmuar veten.