Si e formoj LDK-në Presidenti Ibrahim Rugova? (Histori)

Kosova

Si e formoj LDK-në Presidenti Ibrahim Rugova? (Histori)

Më: 23 dhjetor 2014 Në ora: 10:16

Ibrahim Rugova ka qenë kryetar i partisë që prej themelimit dhe deri në janar 2006, kur Rugova u nda nga jeta. LDK, u formua si bashkim i intelektualëve dhe popullit të Kosovës, në kohën e shpërbërjes së Lidhjes Komuniste të Kosovës. LDK u angazhua për një Kosovë të pavarur, demokratike dhe të lirë. LDK-ja prej fillimit e deri më 2007 ishte forca kryesore politike në Kosovë. LDK ka fituar të gjitha zgjedhjet e zhvilluara në Kosovë si lokale ashtu edhe parlamentare në vitet 2000, 2001, 2002 dhe 2004. LDK ka shënuar një rënie të lehtë të elektoratit kohë pas kohe, ndërsa pas vdekjes së Rugovës, një pjesë e partisë ndahet dhe formon një parti të re politike, që reflektohet edhe me humbje të elektoratit. LDK-ja udhëheqë me 5 ministri në qeverinë e Kosovës dhe mban postin e presidentit të Kosovës. Në zgjedhjet e para parlamentare të pas-luftës (2001), LDK me 48 % të votave të fituara kishte hyrë në koalicion të gjerë me PDK (26 %) dhe AAK (7%). Ndërsa pas zgjedhjeve të (2004), formon koalicion qeveritar me AAK (për ti dhënë AAK postin e kryeministrit) duke lënë PDK në opozitë. Pas vdekjes së kryetarit Ibrahim Rugova (edhe president i Kosovës) në janar 2006, LDK-ja udhehiqet nga Fatmir Sejdiu. Pas zgjedhjeve të 2007, LDK hyn në koalicion me partinë e saj rivale PDK, koalicion ky që prishet pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut nga posti i Presidentit të Kosovës. Në Kuvendin e partisë që u mbajt në nëntor të vitit 2010, kryetar i LDK-së me shumicën e votave të delegatëve zgjidhet Isa Mustafa. Në zgjedhjet nacionale që pasuan në dhjetor 2010, LDK fiton 27 mandate deputetësh dhe për herë të parë kalon në opozitë.

Dr. Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen e kreu në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë. Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984. Në vitin 1996 Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve Bota e re dhe në revistën shkencore Dituria (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë punoi edhe në revistën Fjala. Pastaj, për afro dy dekada, Dr. Ibrahim Rugova veprimtarinë e veta shkencore i zhvilloi në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike të këtij Instituti. Me krijimtari letrare u mor që nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.

Dr. Ibrahim Rugova më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila kundërshtoi sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.

Si intelektual që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes. Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992. Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës. Dr. Ibrahim Rugova u rizgjodh President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.

Nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës LDK-ja fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 si dhe n zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK fitoi edhe zgjedhjet e fundit nacionale më 2004.
Dr.Ibrahim Rugova vdiq me 21 janar 2006 , u varros me nderime te larta shteterore dhe ushtarake. Funerali i Ibrahim Rugovës ishte njëri nga më të mëdhenjtë të historisë shqiptare.

Në përvjetorin e vdekjes së Ibrahim Rugovës, më 21 janar 2007, Presidenti i Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu, dekoroi Presidentin historik të Kosovës me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës që kanë bërë “vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”./wikipedia

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat