Komuna e Klinës ka pranuar një donacion të ri nga KFOR-i, në formë të pajisjeve të dedikuara për Stacionin e Zjarrfikësve, me qëllim të forcimit të kapaciteteve të tyre për reagim në situata emergjente.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, i cili ka njoftuar se pajisjet janë pranuar në prani të nënkryetarit Fadil Gashi, drejtorit të Shërbimeve Publike dhe Emergjente, Qendrim Millaku, si dhe komandantit të Njësisë së Zjarrfikësve në Klinë, Rasim Elezaj.
Sipas njoftimit, pajisjet e dhuruara do të ndihmojnë në rritjen e gatishmërisë dhe efikasitetit të zjarrfikësve në përballimin e fatkeqësive natyrore dhe situatave të tjera emergjente.
Elezaj ka vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet Komunës së Klinës dhe KFOR-it, duke theksuar se ky bashkëpunim në realizimin e projekteve të ndryshme po jep rezultate konkrete për qytetarët.
Ai ka shprehur falënderimin për KFOR-in për donacionin dhe mbështetjen e vazhdueshme ndër vite për komunën.