Telekomi i Kosovës pranon 95 kërkesa për largim vullnetar nga puna, kostoja rreth 2 milionë euro

Kosova

Telekomi i Kosovës pranon 95 kërkesa për largim vullnetar nga puna, kostoja rreth 2 milionë euro

Më: 21 nëntor 2026 Në ora: 11:15
Telekomi i Kosovës

Telekomi i Kosovës ka vazhduar edhe këtë vit programin e largimit vullnetar të punonjësve, si pjesë e përpjekjeve për rritjen e efikasitetit operacional, uljen e shpenzimeve dhe forcimin e qëndrueshmërisë financiare të ndërmarrjes.

Sipas një komunikate për media, gjatë këtij viti janë pranuar 95 aplikime për ndërprerjen vullnetare të marrëdhënies së punës, me kompensim financiar.

Kostoja e parashikuar për këto largime vlerësohet të jetë rreth 2 milionë euro.

Telekomi thekson se qëllimi i programit është reduktimi afatgjatë i shpenzimeve operative, duke ruajtur njëkohësisht funksionalitetin e ndërmarrjes dhe cilësinë e shërbimeve.

Një program i ngjashëm ishte zbatuar edhe në vitin 2022, ndërsa sipas ndërmarrjes, rezultatet financiare të tij tashmë janë të matshme.

“Në vitin 2022, nga programi i parë i largimit vullnetar përfituan 302 punonjës, me një kosto prej rreth 6 milionë eurosh. Deri më tani, nga ky program janë kursyer rreth 13 milionë euro në shpenzimet për paga, duke rezultuar në një efekt financiar neto pozitiv prej rreth 7 milionë euro”, thuhet në njoftim.

Telekomi sqaron se largimi vullnetar nuk përbën të drejtë automatike për secilin punonjës që aplikon, pasi kërkesat shqyrtohen në përputhje me nevojat e ndërmarrjes.

“Shqyrtimi i kërkesave është bërë duke marrë parasysh nevojat operative të ndërmarrjes dhe mundësinë e mbulimit të funksioneve përkatëse me kapacitetet ekzistuese”, thuhet në njoftim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat