Dhimbjet e shpinës mund të shfaqen edhe si pasojë e ndërhyrjeve kirurgjikale të mëparshme në trup.
Kjo vërehet veçanërisht te gratë që kanë lindur me prerje cezariane, ku ndërhyrja mund të ndikojë në indet, muskujt dhe ndjeshmërinë e zonës.
Edhe operacionet e tjera mund të lënë pasoja që manifestohen me dhimbje të shpinës, madje edhe kur ekzaminimet nuk tregojnë ndonjë problem të dukshëm.
Për këtë arsye, kur dhimbjet e shpinës vazhdojnë dhe shkaktarët e tjerë përjashtohen, duhet të merret parasysh edhe historia e ndërhyrjeve kirurgjikale të pacientit.
Kështu u shpreh fizioterapeuti Uran Berisha, në emisionin “Shëndeti sot” të KosovaPress, duke shtuar se trupi mund të mbetet i ndjeshëm ndaj ndërhyrjeve kirurgjikale dhe se ato mund të ndikojnë në shfaqjen e dhimbjeve të shpinës.
Berisha thotë se është e rëndësishme që njerëzit të dinë se çfarë ata kanë ngrënë një ditë më parë në rast të paraqitjes së dhimbjeve të padurueshme të kurrizit.
Pse duhet të kontrolloni çfarë keni ngrënë një ditë më parë kur ju dhemb shpina
“Do me thënë ushqimet që ti i ha, pezmatimet, nëse ti e han një ushqim që trupi yt nuk e përballon, barku edhe zorrët janë qendra e inflamacionit në krejt trupin, prej aty mandej shpërndahet, po për shkak që është shumë afër unazave dhe vertebrave, ajo shkakton dhimbje tepër të madhe. Çka ju preferoj gjithmonë pacientëve është se çka ke hëngër një ditë përpara, nëse të nesërmen ka më shumë dhimbje duhet ta ndërrojë ushqimin. Shikoje çka është duke ndodhur, mos ka ndonjë efekt, sepse shumë lehtë është për ne kur është problem mekanik pasi që mund ta diagnostikojmë, sepse njeriu nuk mund të lëvizë”, tha Uran Berisha.
Berisha thotë se dhimbjet e shpinës nuk duhet të trajtohen gjithmonë si problem i izoluar, por ato kërkojnë vlerësim të kujdesshëm për të identifikuar shkakun e vërtetë.
Sipas tij, shqyrtimi i të gjithë faktorëve të mundshëm, duke filluar nga problemet mekanike e deri te ndërhyrjet kirurgjikale dhe çrregullimet e tretjes, është i rëndësishëm për vendosjen e diagnozës së saktë dhe trajtimin e duhur.