Sot u mbajt akademi përkujtimore në Llapushnik të Drenasit, me rastin e vendosjes së busteve të tri figurave të rëndësishme të historisë shqiptare Pjetër Bogdanit, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe Adem Jasharit.
Me këtë rast, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se zbulimi i këtyre busteve të figurave të rëndësishme të historisë shqiptare e bën komunën e tyre edhe më të bukur para festës së madhe të 28 Nëntorit.
Lladrovci: Zbulimi i busteve të figurave tona të mëdha historike, nderim për të gjithë shqiptarët
"Zbulimi i busteve është nderim për të gjithë shqiptarët. Sot, zbulojmë dhe nderojmë tri personalitete me të cilat historia e popullit shqiptar është me vlera të pashlyera dhe të pashmangshme... Në këtë ditë nëntori, komuna jonë bëhet më e pasur dhe më e bukur me këto tri buste, të cilat përfaqësojnë vlera", tha Lladrovci.
Më pas, aktori Xhevat Limani përmes një pike teatrale solli interpretimin artistik të poezisë "O flamur shkamb".
Don Anton Uka, vikar ipeshkvor në Llapushnik tha se kisha "Shën Abrahami" ka dëshmuar se feja dhe atdheu janë dy përgjegjësi që thërrasin t'i shërbejnë Zotit dhe njeriut.
Don Uka: Feja dhe atdheu nuk janë dy dashuri përjashtuese
"Nuk është rastësi se kjo ngjarje po zhvillohet pikërisht në Kishën e Shën Abrahamit në Llapushnik, sepse kjo kishë, me rrugëtimin e saj, ka dëshmuar dhe po dëshmon se feja dhe atdheu nuk janë dy dashuri përjashtuese, që përjashtojnë njëra-tjetrën, por dy përgjegjësi që na thërrasin t'i shërbejmë Zotit dhe njeriut", tha ai.
Ndërsa, më pas soprano, Besiana Qani Mehmeti përformoi një vepër artistike. Më tej, ngjarja vazhdoi me zbulimin e busteve të tri figurave historike.
Kujtojmë, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (1405–1468) ishte komandant ushtarak shqiptar i shekullit të XV dhe hero kombëtar, i cili udhëhoqi për 25 vjet rezistencën shqiptare kundër Perandorisë Osmane.
Ndërsa, Pjetër Bogdani (rreth 1630–1689) ishte kryepeshkop i Shkupit në shekullin XVII dhe autor i Çetës së Profetëve, e njohur si vepra e parë origjinale në prozë e shkruar në gjuhën shqipe, si dhe gurthemel i letërsisë dhe identitetit kulturor shqiptar.
Komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari (1955–1998) ra heroikisht në luftën e pabarabartë me forcat kriminale serbe në Epopenë e lavdishme të Jasharëve 5-7 mars 1998, në Prekaz.