Me rastin e vendosjes së busteve të tri figurave të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare Pjetër Bogdanit, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe Adem Jasharit, të dielën në Llapushnik të Drenasit do të mbahet një akademi përkujtimore duke filluar nga ora 14:00.
Në këtë akademi do të marrin pjesë përfaqësues institucionalë, historianë, artistë dhe nga familja Jashari.
Fjalë përshëndetëse para të pranishmëve të mbajnë kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, vikeri ipeshkvor në Llapushnik, Don Anton Ukaj, si dhe përfaqësues nga familja Jashari.
Në kuadër të akademisë, kumtesa do të mbajnë historiani Paulin Zefi, shkrimtari Ndue Ukaj dhe profesori Blerim Latifi, të cilët do të trajtojnë rëndësinë historike dhe kombëtare të figurave që do të përjetësohen përmes busteve.
Programi parasheh edhe pjesë teatrale nga aktori Xhevat Limani, si dhe interpretime muzikore nga tenori Shkodran Tolaj, sopranoja Besiana Qani Mehmeti dhe pianistja Magdalena Sedaj. Akademia moderohet nga gazetari Nikollë D. Ukaj.
Pjesa qendrore e aktivitetit do të jetë zbulimi solemn i busteve të Pjetër Bogdanit, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe Adem Jasharit, ceremoni që do të shoqërohet me një program muzikor nga tenori Shkodran Tolaj. Aktiviteti do të përmbyllet me një aperitiv për të pranishmit.