​Zbulimi i busteve të figurave të mëdha historike shqiptare, qytetarët: Një zgjim kulturor kombëtar

Kosova

​Zbulimi i busteve të figurave të mëdha historike shqiptare, qytetarët: Një zgjim kulturor kombëtar

Më: 22 nëntor 2026 Në ora: 17:44
Pamje nga vendi i ngjarjes

Qytetarët e Drenasit mirëpritën zbulimin e busteve të tri figurave të rëndësishme historike Adem Jashari, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Pjetër Bogdani pranë kishës katolike "Shën Abrahami" në Llapushnik të Drenasit.

Nexhmi Bardhi e cilëson këtë ngjarje si një mrekulli dhe zgjim të kulturës.

Bardhi: Kujtimi i figurave madhore historike shqiptare paraqet një zgjim kulturor kombëtar

"Kjo është mrekulli, ka adhurues të mëdhenj. Ky është zgjim i kulturës...Ka qenë shumë e nevojshme", tha Bardhi.

Zbulimi i busteve të tri figurave të rëndësishme historike shqiptare për Edan Llukajn është një ditë dhe moment i veçantë.

Llukaj: Kthim nderi për kontributin dhe frymëzimin e këtyre figura përgjatë historisë shqiptare

"Ka qenë një moment dhe ditë e veçantë. Është një kthim nderi për të gjithë kontributin dhe frymëzimin që kanë bërë këto figura përgjatë historisë", tha Llukaj.

Ndërsa Rifat Sadikaj e vlerësoi kryetrimin Gjergj Kastrioti-Skënderbeun dhe komandantin legjendar Adem Jasharin si dy baza të forta të gjithë shqiptarisë.

Sadikaj: Skënderbeu e Adem Jashari janë baza të forta të mbarë shqiptarisë

"Tepër e rëndësishme. Kur është fjala për Skënderbeun dhe Adem Jasharin janë dy baza të forta të shtetit të Kosovës dhe mbarë shqiptarisë", tha ai.

Zbulimi i busteve të figurave të rëndësishme historike shqiptare u bë sot në një akademi përkujtimore në Llapushnik të Drenasit.

Kujtojmë, Komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari (1955–1998) ra heroikisht në luftën e pabarabartë me forcat kriminale serbe në Epopenë e lavdishme të Jasharëve 5-7 mars 1998, në Prekaz.

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (1405–1468) ishte komandant ushtarak shqiptar i shekullit të XV dhe hero kombëtar, i cili udhëhoqi për 25 vjet rezistencën shqiptare kundër Perandorisë Osmane.

Ndërsa, Pjetër Bogdani (rreth 1630–1689) ishte kryepeshkop i Shkupit në shekullin XVII dhe autor i Çetës së Profetëve, e njohur si vepra e parë origjinale në prozë e shkruar në gjuhën shqipe, si dhe gurthemel i letërsisë dhe identitetit kulturor shqiptar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat