Hedhja e mbeturinave në vendet që nuk janë të përcaktuara vazhdon të mbetet shqetësim në Komunën e Deçanit. Ky ves i keq po vazhdon, edhe pse dy muaj më parë Asambleja komunale e Deçanit, përmes një vendimi të veçantë, ka caktuar lokacionin për grumbullimin e mbeturinave të ngurta në fshatin Llukë të Ulët, vendim i cili është aprovuar edhe nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Edhe pse vetëm dy muaj më parë, Asambleja Komunale e Deçanit, përmes një vendimi të veçantë, ka caktuar lokacionin për grumbullimin e mbeturinave të ngurta në fshatin Llukë të Ulët, vendim ky i miratuar edhe nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, hedhja e mbeturinave nga persona të papërgjegjshëm po vazhdon.
Rasti më i fundit është evidentuar në fshatin Irzniq, përkatësisht në lokacionin e njohur si “Vorret e Shalës”, ku mbeturinat po hidhen mbi varrezat e vjetra, të cilat, sipas banorëve, përbëjnë trashëgimi të të parëve të tyre.
“Këto varre janë më të vjetrat në Irzniq. Ka varre edhe në disa vende të tjera, por këto janë më të vjetrat, të cilat pothuajse askush nuk i mban mend. As unë, as babai im nuk i mbajmë mend fare. Një plak e kam pasur pyetur, Haxhi Zekën, se sa vjeç ishte. Më kishte thënë se i kishte 98 vjet. E pyeta nëse i mbante mend këto varre, dhe më tha jo, por se babai i tij i kishte treguar se këto varre ishin të të parëve tanë. Para luftës, kjo pjesë ka qenë një lëndinë shumë e bukur. Pas luftës, njerëzit tanë, siç jemi, kanë filluar të hedhin mbeturina e gjithçka tjetër. Madje, po çuditem se si ua mban fytyra të hedhin mbeturina mbi varre, me sy hapur”, thekson banori Beqir Miftari.
E kryetar i fshatit Irzniq, Shaqir Dacaj, thekson se ka menduar se pas luftës do të vetëdijësohemi dhe do të kujdesemi për këtë pjesë, por çdo ditë po përballemi me raste të ndryshme të papërgjegjësisë, siç po shihet edhe këtu, te ‘Vorret e Shalës’.
"Shpresojmë që tash e tutje të ketë më shumë vetëdijesim. Edhe ne si fshat, e unë si kryetar, do ta marrim iniciativën për ta pastruar këtë pjesë të varrezave, me shpresën që ky të jetë rasti i fundit kur mblidhemi për të larguar mbeturinat. Është më mirë të mblidhemi për ndonjë punë të mirë, e jo për mbeturina, sepse kjo nuk është aspak e natyrshme”, tha ai.
Edhe zyrtarët komunalë të Deçanit thonë se, pavarësisht kujdesit të vazhdueshëm dhe aksioneve për pastrimin e deponive ilegale, kjo dukuri e shëmtuar po vazhdon. Ata paralajmërojnë masa ndëshkuese ndaj qytetarëve të papërgjegjshëm.
“Ka ende vende të caktuara ku njerëz të papërgjegjshëm vazhdojnë me këtë dukuri. Ne prapë jemi në terren dhe në aksion, aty ku ka ankesa nga qytetarët për deponi ilegale, për t’i pastruar ato. Mirëpo, pavarësisht kësaj, kjo dukuri po vazhdon.
Edhe inspektorati është në terren, duke shqiptuar gjoba mandatore që parashihen me Rregulloren për Shërbime Publike dhe Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave.
I ftoj qytetarët e Deçanit, sidomos bizneset, që të kenë kujdes dhe të mos hedhin mbeturina vend e pa vend. Mbeturinat inerte e kanë lokacionin e caktuar në Llukë të Ulët, ndërsa për mbeturinat e ekonomive familjare shërbimet i kryen ‘Higjiena’ çdo javë.
Prandaj, nuk është e arsyeshme të hidhen mbeturina që ndotin ambientin, sepse kjo është e dëmshme për fëmijët e tyre, për ambientin dhe për gjithë shoqërinë. Kërkoj nga të gjithë që të jenë të kujdesshëm, sepse, në të kundërtën, do të përballen me gjoba mandatore nga inspektorati, por edhe nga policia”, tha Izet Zenuni, drejtor për Shërbime Publike dhe Inspeksion në Deçan.
Ndërkaq, kryetari i fshatit Irzniq, Shaqir Dacaj, u bëri thirrje organeve komunale të Deçanit që të angazhohen për asfaltimin e rrugës pranë këtyre varrezave të vjetra.
Sipas tij, asfaltimi i kësaj rruge do të ndikonte në mirëmbajtjen e varrezave, si dhe do të lehtësonte qarkullimin dhe lidhjen me fshatrat e tjera të këtij lokaliteti.