Rreth 300 raste me fruth janë regjistruar në Kosovë nga prilli deri në fillim të nëntorit, ndërsa vetëm gjatë muajit të fundit është vërejtur rritje e rasteve. Mjekët bëjnë thirrje për vaksinim, duke paralajmëruar për përhapjen e shpejtë të virusit dhe komplikimet serioze shëndetësore.
Rastet e prekura nga fruthi në Kosovë po shënojnë rritje, duke ngritur shqetësime për përhapjen e kësaj sëmundjeje ngjitëse, veçanërisht te personat që nuk janë të vaksinuar.
Sipas të dhënave të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prizren, të bazuara në informacionet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), nga prilli deri në fillim të nëntorit të këtij viti janë regjistruar rreth 300 raste me fruth në gjithë vendin.
Drita Qollaku, shefe e Urgjencës në QKMF, ka bërë të ditur se mbi 90 për qind e personave të prekur nga kjo sëmundje janë të pavaksinuar.
“Mbi 90 për qind e këtyre rasteve, sipas IKSHPK-së, i përkasin grupeve të pavaksinuara. Kjo tregon qartë rëndësinë e vaksinimit kundër fruthit”, ka deklaruar Qollaku për televizionin publik, transmeton "Bota sot".
Sipas profesionistëve shëndetësorë, fruthi është një sëmundje jashtëzakonisht ngjitëse, pasi një person i infektuar mund të infektojë deri në nëntë persona të tjerë.
Virusi mund të përhapet edhe para se të shfaqen simptomat e dukshme, konkretisht katër ditë para dhe katër ditë pas paraqitjes së skuqjeve karakteristike në lëkurë.
Përveç përhapjes së shpejtë, fruthi mund të shkaktojë edhe komplikime të rënda shëndetësore. Sipas Qollakut, përdorimi i antibiotikëve nuk rekomandohet për trajtimin e vetë fruthit, përveç rasteve kur shfaqen infeksione bakteriale dytësore.
“Fruthi e dobëson imunitetin dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, deri te encefaliti”, ka paralajmëruar ajo.
Ndërkohë, edhe qytetarët vlerësojnë se vaksinimi është një nga mënyrat më të rëndësishme për mbrojtjen nga sëmundjet ngjitëse dhe u bëjnë thirrje prindërve të mos e neglizhojnë këtë proces.
Drilon Gashi nga Prizreni ka treguar se, megjithëse familja e tij fillimisht kishte pasur frikë nga vaksinimi, në fund kishte vendosur që fëmijët t'i vaksinojë.
“Kemi pasur pak frikë, por është diçka që duhet të bëhet. Ne jemi popull që ndonjëherë besojmë në bestytni dhe histori të ndryshme, por vaksinimi duhet të bëhet patjetër. Pas vaksinimit nuk kemi pasur asnjë problem”, ka thënë Gashi.
Rritja e rasteve me fruth nuk është e kufizuar vetëm në Kosovë, pasi infektime janë raportuar edhe në vendet e rajonit.
Mjekët u bëjnë thirrje prindërve që të respektojnë kalendarin e rregullt të vaksinimit dhe të mos i ekspozojnë fëmijët ndaj rrezikut nga sëmundjet që mund të parandalohen përmes vaksinave.