Edhe një akademik serb e pranon se Kosova, nuk është pjesë e Serbisë

Lajme

Edhe një akademik serb e pranon se Kosova, nuk është pjesë e Serbisë

Më: 18 janar 2021 Në ora: 14:02
Tibor Varadi

Profesori serb i së drejtës ndërkombëtare dhe akademiku Tibor Varadi deklaroi sot për televizionin “N1” se Kosova është marrë padrejtësisht, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, por se në të njëjtën kohë ajo nuk është pjesë e Serbisë e as administrata serbe në Kosovë nuk ka kompetenca.

Pas deklaratës së kreut të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU) Vladimir Kostiq se Kosova de fakto e as de jure nuk është pjesë e Serbisë, Varadi sqaroi deklaratën e tij, duke thënë se Kostiqi ka thënë se “Kosova në këtë moment faktikisht nuk është jona dhe se duhet nisur nga ky fakt për të bërë diçka”.

“Jetojmë në një epokë kur armiqtë janë shumë të nevojshëm, sepse është shumë më lehtë të vërtetosh se dikush është në anën e duhur nëse ka një armik. Ka probleme shumë të mëdha në Kosovë, serbët në Kosovë, të drejtat e tyre dhe identiteti i tyre kulturor – do të ishte e nevojshme të bëjmë diçka për këtë, por nuk është e lehtë. Por të thuash që dikush është tradhtar është shumë e lehtë, shumë më e thjeshtë sesa të bësh diçka për serbët në Kosovë”, tha Varadi

Ai tha se personalisht mendon që Kosova është shkëputur [nga Serbia] padrejtësisht, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, por se në të njëjtën kohë është gjithashtu e vështirë të thuhet se Kosova aktualisht nuk është pjesë e Serbisë, sepse “legjislacioni serb nuk shtrihet në Kosovë, gjykatat serbe nuk kanë kompetenca në Kosovë, administrata serbe nuk ka autoritet atje”.

Sipas tij, deklarimet se “Kosova është shkëputur në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe se në të njëjtën kohë do ta ruajmë”, janë të pabaza, sepse nuk mund të ruhet diçka që është marrë.

Varadi thotë se edhe Kostiqi edhe SANU punojnë shumë për Kosovën – organizojnë debate atje, po bëjnë shumë për monumentet në Kosovë, gjë që është më e vështirë se të thuash “‘nuk e japim Kosovën’ dhe ne nuk po japim diçka për të cilën pretendojmë se është rrëmbyer”.

“Duhet disi të fillojmë nga e vërteta. Mund të jetë e dhimbshme dhe e padrejtë, por ne duhet të fillojmë prej saj dhe të bëjmë diçka dhe ka çka të bëhet, popullata serbe në Kosovë meriton kujdes”, tha Varadi.

Pas deklaratës së Kostiqit pati protesta në Serbi, ku u kërkua zëvendësimi i tij nga kreu u Akademisë. Por Varadi thotë se “nuk beson se ka një rrezik serioz për këtë çështje e aq më pak arsye për zëvendësimin e Kostiqit”.

Kujtojmë se profesori Varadi edhe në të kaluarën kishte deklaruar se Kosova nuk është pjesë e Serbisë.

“Personalisht mendoj dhe këtë e kam thënë disa herë, se Kosova është marrë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe mendoj se kjo s’ka qenë ligjore. Në të njëjtën kohë mendoj se në këtë moment Kosova faktikisht nuk është pjesë e Serbisë”, pati deklaruar Varadi për “N1” në vitin 2018.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat