Konjufca: E tërë Kosova është pllakosur në zi

Lajme

Konjufca: E tërë Kosova është pllakosur në zi

Nga: M.L. Më: 28 korrik 2021 Në ora: 17:38
Foto nga arritja e viktimave në Morinë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca nëpërmjet një postimi në Facebook u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave të aksidentit që ndodhi dy ditë më parë në Kroaci.

Ai tha se e e tërë Kosova është pllakosur në zi dhe mbytur në dhimbje për bashkatdhetarët tanë të dashur.

"Të nderuara familje Binakaj, Rrustemi, Kolmekshaj, Kastrati, Bellanica, Maloku, Hoxha, Iprijaj e Sylmetaj, si dhe të afërm e miq të bashkatdhetarëve që humbën jetën në aksidentin tragjik të së dielës. Jo vetëm ju, por e tërë Kosova është pllakosur në zi dhe mbytur në dhimbje për bashkatdhetarët tanë të dashur, që pësuan në fatkeqësinë tragjike afër Slavonski Brodit të Kroacisë, derisa po ktheheshin në atdhe nga mërgimi për pushime çmallëse.

Këtë herë, përmes udhëtimit të tyre të fundit, 10 bashkatdhetarët tanë iu kthyen Kosovës në trajtën më të dhimbshme - nëpër arkivole.

Në këto momente tejet tronditëse për ju që humbët më të dashurit tuaj dhe për mbarë Kosovën, jemi bashkë dhe pranë njëri-tjetrit për të shprehur solidaritetin vëllazëror, për të ndarë dhimbjen dhe për ta përballuar më lehtë pikëllimin për jetët e humbura në këtë tragjedi të dimensioneve tejkombëtare, si dhe për t'u lutur për shërimin e të lënduarve.

Ngushëllimet tona më të sinqerta familjeve, të afërmve dhe miqve për humbjen e më të dashurve të tyre. U qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”, shkroi Konjufca në Facebook.

Kujtojmë se sot i është dhënë lamtumira e fundit 10 mërgimtarëve që humbën jetën në aksidentin me autobus në Kroaci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat