Një person ka vdekur si pasojë e një aksidenti komunikacioni që ka ndodhur të mërkurën mbrëma në Podujevë. Lajmi është bërë i ditur në raportin e Policisë së Kosovës, transmeton “Bota sot”.
Sipas raportit policor, një veturë, e drejtuar nga një mashkull kosovar, dyshohet se ka goditur një motoçikletë që drejtohej nga viktima, po ashtu mashkull kosovar.
Njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar vdekja e motoçiklistit.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa i dyshuari, pas intervistimit, është dërguar në mbajtje.
Aksidenti ka ndodhur më 19 nëntor, rreth orës 19:20.