Referendumi i Serbisë në Kosovë, serbët e Graçanicës flasin për kryeministrin Albin Kurti

Lajme

Referendumi i Serbisë në Kosovë, serbët e Graçanicës flasin për kryeministrin Albin Kurti

Më: 14 janar 2022 Në ora: 18:40
Albin Kurti

Të dielën e 16 janarit qytetarët e Serbisë do të votojnë në referendumin për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë.

Ndërkohë, që serbët që banojnë në Kosovë kanë deklaruar se një gjë të tillë do ta shfrytëzojnë vetëm nëse i lejon Qeveria e Kosovës.

“Më besoni, nuk e di. Nëse (Albin) Kurti na lejon, sigurisht që po. Sigurisht do të votoj sepse është në pyetje diçka në të mirë të të gjithë neve”, ka thënë një nga banorët e Graçanicës.

Radovani nga Kuzmini ka thënë se nuk e di se si do të mundësohet votimi. “Nuk e di, po thonë se s’ka shans të votimit”.

Gradimir Lazhiq po ashtu po i ndjek ngjarjet e fundit. Ai ka thënë se fjalën e fundit do ta japë Qeveria e Kosovës.

“Nëse do të lejohet, është pikëpyetje. Qeveria e Kosovës ka të drejtat e veta, ajo vendos për shtetësinë e vet, edhe pse s’ka shtet. Nuk mund të bëjmë diçka për këtë. Si të vendosin ata, ne do të votojmë po që se është e mundur”, ka thënë ai.

Gjatë ditës së sotme partnerët ndërkombëtarë kanë bërë presion ndaj institucioneve të Kosovës që të lejojnë organizimin e këtij referendumi. Megjithatë, krerët e Kosovës nëpërmjet një deklarate të përbashkët kanë dalë kundër e për këtë kanë marrë mbështetjen edhe të opozitës.

Kurse, Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se me ftesë të kryeministrit Albin Kurti, të shtunën e 15 janarit do të mbahet seancë e jashtëzakonshme parlamentare.

Në një njoftim të ZKM-së bëhet e ditur se në rend dite është diskutimi për këtë çështje e në fund nxjerrja e një rezolute të përbashkët.

“Në rend të ditës së kësaj seance të jashtëzakonshme është diskutimi në lidhje me synimin e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Republikës së Kosovës. Diskutimi nga kjo seancë ka për qëllim të nxjerrë një rezolutë të përbashkët, në të cilën shprehet vullneti politik i deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbi çështjen e lartshënuar”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat