VOA/ Mali i Zi me paketë sanksionesh ndaj Rusisë

Lajme

VOA/ Mali i Zi me paketë sanksionesh ndaj Rusisë

Më: 8 prill 2022 Në ora: 13:50
Dritan Abazoviq

Qeveria malazeze miratoi të premten një paketë sanksionesh kundër Federatës Ruse, për shkak të agresionit në Ukrainë.

Sapo është miratuar një paketë masash kufizuese kundër Rusisë! Faleminderit të gjithë ministrave për bashkëpunimin!”, shkroi në rrjetin Twitter, Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili drejtoi mbledhjen e qeverisë në mungesë të kryeministrit Zdravko Krivokapiç, i cili ndodhet në një forum ekonomik në Greqi.

Sipas informacioneve jozyrtare nga qeveria, të gjithë ministrat e pranishëm ishin për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, përveç ministrit të Bujqësisë, Aleksandar Stijoviç, i cili abstenoi.

Ambasadorja amerikane në Malin e Zi, Judy Rising Reinke, përgëzoi qeverinë malazeze.

Bravo! E rëndësishme të shohësh që vendi aleat, Mali i Zi u është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian, të cilat janë të vendosur për të zvogëluar aftësitë e Rusisë që të financojë luftën e saj çnjerëzore, të padrejtë dhe të paprovokuar ndaj popullsisë së Ukrainës”, shkroi ajo në rrjetet sociale.

Miratimi i vendimit për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë nuk ishte në rendin e ditës së mbledhjes së sotme të Qeverisë, por zoti Abazoviq, duke përdorur rregulloren e punës, kërkoi ndryshimin e rendit të ditës, me çka u mundësua votimi i masave.

Komisioni për Sistemin Politik të Qeverisë, i kryesuar nga zoti Abazoviq, me 15 mars propozoi njëzëri një paketë sanksionesh kundër Rusisë, në pajtim me paketën e sanksioneve të Bashkimit Evropian.

Por më 17 mars mbledhja e qeverisë së Malit të Zi u ndërpre për shkak të mosmarrëveshjeve mbi procedurën e miratimit të vendimit për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Zëvendëskryeministri Abazoviq, tha pas ndërprerjes së mbledhjes se “gjithçka ishte në rregull derisa arritëm në pikat që kishin të bënin me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, të cilat kaluan në komisionet qeveritare. Erdhëm në një situatë që kryeministri propozoi përfundime të reja, që kishte për qëllim ta bënte të pakuptimtë vendimin për sanksionet. Ne nuk mund t'i bëjmë të pakuptimta këto gjëra në lidhje me reputacionin ndërkombëtar të Malit të Zi. Përfundimet ishin shumë të qarta dhe të harmonizuara me atë që miratoi Këshilli i Bashkimit Evropian, dhe gjithçka përtej kësaj nuk është as juridikisht e as politikisht e vlefshme", tha zoti Abazoviq.

Lufta në Ukrainë i ka ndarë në dy grupe aktorët politikë në Mal të Zi.

Derisa pjesa më e madhe e zyrtarëve malazezë i mbështesin të gjitha veprimet e BE-së lidhur me luftën në Ukrainë, partitë pro-serbe dhe pro-ruse si dhe Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi, nxisin një mbështetje të hapur për Rusinë dhe presidentin e saj Vladimir Putin./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat