Dyshimet mbi ndikimin rus në raportin e Dick Marty-it

Lajme

Dyshimet mbi ndikimin rus në raportin e Dick Marty-it

Më: 22 qershor 2022 Në ora: 23:08
Dick Marty

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka paralajmëruar se në shtator do të dorëzojë një rezolutë për raportin e Dick Marty-t në Këshill të Evropës. Por, mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së procesit ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, që janë aktualisht në Hagë, po e shohin pothuajse të pamundur njohësit e çështjeve juridike.

Barra e rëndë që Dick Marty vendosi mbi ish udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, as pas 12 vitesh nuk po largohet.

Senatori zviceran, në vitin 2010 nxori në publik një raport ku inkriminonte ish-krerët e UÇK-së, edhe në trafikim organesh.

Gjithçka sipas tij kishte ndodhur në atë që njihet si “Shtëpia e Verdhë” në territorin e Shqipërisë.

Por, këto pretendime të Martyt nuk janë përfshirë fare në aktakuzën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, që ka ngritur kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Sipas Ehat Miftarajt, çfarëdo iniciative nuk do të mund të prodhojë ndonjë efekt juridik.

“Në kuptimin politik mund të ketë efekt nëse e njëjta trajtohet nga Këshilli i Evropës, por në kuptimin e ndikimit juridik nuk do të ketë ndikim dhe nuk mund ta ndryshojë gjendjen e Gjykatës Speciale”, ka thënë Miftaraj.

Kontestimin e këtij raporti një dekadë pas, po e sheh të pamundur edhe Artan Muhaxheri.

“Deklarata e Kryeministrit Rama ishte më shumë entuziazëm se sa që do të ketë diçka konkrete. Proceset, siç janë Gjykata Speciale, marrin vite dhe ato nuk mund të ndryshohen ad-hock, pasi janë shumë të komplikuara”, deklaroi Muhaxheri.

Derisa hija e rëndë e raportit të Dick Marty-t vazhdon të jetë mbi Kosovën, ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po vazhdojnë të mbahen në paraburgim nën akuza për krime lufte.

Gjykimi ndaj tyre nuk ka nisur ende, ndërsa mbrojtja po vazhdon të ngre zërin se Hashim Thaçit dhe të tjerëve, po vazhdojnë t’u shkelen të drejtat nga ana e Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat