​Ekzekutohen pagat e tetorit, por pa shtesa

Lajme

​Ekzekutohen pagat e tetorit, por pa shtesa

Më: 31 tetor 2022 Në ora: 16:05
Foto ilustrim

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka ekzekutuar sot pagat e muajit tetor për punonjësit e sektorit publik, por jo edhe shtesat prej 50 euro në muaj në kuadër pakos për përballje me inflacionin.

As me pagat e shtatorit nuk ishin ekzekutuar shtesat prej 50 eurosh, por ishte thënë se kjo do të ndahet me pagën e tetorit.

Po kështu shtesat për muajin tetor prej 100 euro nuk i morën me pagën e tetorit as punëtorët e ndërmarrjeve publike, sidomos ata të Telekomit të Kosovës.

Nga Ministria e Financave nuk janë përgjigjur për KosovaPress, por mësohet se ende shtesat për këto kategori nuk kanë dalë.

Kryetari i Sindikatës së Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, ka thënë për KosovaPress se pagat për muajin tetor kanë dalë sot në llogaritë bankare, por pa shtesat prej 100 eurosh.

Balaj: Pagat e tetorit kanë dalë pa shtesa

Pagat për muajin tetor kanë dalë sot, ndërsa sa i përket shtesave prej 100 eurove, nuk kemi marrë këtë shumë të shtesave. Në periudha të mëhershme, shtesat i kemi marrë përmes aplikimit, këtë herë nuk kemi asnjë informatë se si do procedohen, për mes listave për punëtorë, apo me aplikim. Por, shtesat deri tash nuk i ka marrë askush nga punëtorët e Telekomit… Atë që mundemi me thënë, është e sigurt se shtesat nuk i kanë marrë askush nga punëtorët e Telekomit”, theksoi Balaj.

Në Ministrinë e Financave, nuk janë përgjigjur as për numrin e bizneseve që kanë aplikuar për subvencionimin e pagave për punëtorët e sektorit privat në kuadër të pakos së fundit për përballje me inflacionin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat