Ish-kryetari i Komunës së Zveçanit merr ftesë të paraqitet në burg

Lajme

Ish-kryetari i Komunës së Zveçanit merr ftesë të paraqitet në burg

Më: 28 mars 2023 Në ora: 14:31
Ivan Todosijeviq

Ish kryetari i të ashtuquajturit  Autoriteti i Përkohshëm të Komunës së Zveçanit, Ivan Todosijeviq, ka marrë ftesë të paraqitet në burg të hënën, më 3 prill, për deklaratën e tij për Raçakun, pa iu dorëzuar aktgjykimi paraprakisht, bëri të ditur drejtori i të ashtuqauajturës  Zyra për Kosovë, Petar Petkoviq.

Petkoviq ka deklaruar se Todosijeviq ka marrë ftesën për vuajtje të dënimit javën e kaluar dhe vetëm sot i është dorëzuar aktgjykimi. Gjykata e Apelit konfirmon se ai është dënuar me një vit burg.

“Është e padëgjuar që t’i dorëzohet dikujt thirrje për vuajtje të dënimit pa aktgjykim me shkrim, gjë që dëshmon pa mëdyshje se Prishtina e udhëhequr nga Albin Kurti po zhvillon një proces politik dhe të montuar kundër Todosijeviqit, i cili synon të gjykojë serbët në Kosovë për kundërvajtje verbale dhe se u ndalohet liria e mendimit dhe e fjalës. Këtë e mbështet edhe fakti se vendimin Todosijeviq e ka mësuar nga mediat e Prishtinës, gjë që e mbështet edhe më tej pretendimin se ai është viktimë e përndjekjes politike”, thuhet në deklaratën e Petkoviq.

Petkoviq thotë se avokati i Todosijeviqit menjëherë do ta shfrytëzojë mundësinë e një mjeti të jashtëzakonshëm juridik dhe do të parashtrojë ankesë në Gjykatën Supreme në Prishtinë kundër vendimit për dënimin me burg dhe aktgjykimin, ndërsa Zyra për Kosovë do ta informojë Miroslav Lajçakun dhe të gjithë ambasadorët e Quintës për shkeljen e fundit të marrëveshjes dhe nëpërkëmbjen e të drejtave themelore njerëzore dhe demokratike të Todosijeviqit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat