​Podcast në UP, mundësi e mirë për studentët e gazetarisë

Lajme

​Podcast në UP, mundësi e mirë për studentët e gazetarisë

Më: 9 qershor 2023 Në ora: 09:37
​Podcast në UP

Nga ky vit, studentët dhe profesorët e Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës kanë filluar të praktikojnë zhanrin podcast. Me tematika të ndryshme, e përmes zërit të tyre, ata arrijnë të praktikojnë njohuritë e marra gjatë studimeve. Deri më tani janë trajtuar çështje të ndryshme, si ajo e lirisë së shprehjes, barazisë gjinore, edukimit në media, vlerat evropiane e kulturore, e shumë tema të tjera.

Profesorët vlerësojnë se studentëve po u ndihmon një gjë e tillë, meqë njohuritë po i zhvillojnë edhe në tregun e punës.

Remzie Shahini-Hoxhaj, e cila është profesoreshë në Departamentin e Gazetarisë, thotë se ky zhanër ka filluar të praktikohet kudo në botë.

“Si zhanër podcast-in kemi filluar ta aplikojmë që nga ky vit. Është parë që në vitet e fundit kudo në botë ka filluar të zhvillohet ky zhanër i ri në tema të ndryshme. Ka qenë mjaft e rëndësishme që edhe studentet e UP-së të kanë mundësinë e një forumi publik ku do të komunikonim për tematika të ndryshme, të cilat ju kemi ofruar përmes radios, përmes këtij podcasti-i... Përveç që është zhanër i ri, studentet kanë pasur mundësinë që edhe vetë të bëjnë podcast, përmes kësaj forme është ofruar një formë tjetër e të bërit gazetari, dhe t’i aplikojnë njohuritë e tyre gjatë studimit, por njëkohësisht edhe të mësojnë formën se si diskutohen temat e tilla në një zhanër të tillë”, thotë Shahini-Hoxhaj.

Edhe profesoresha Jeta Abazi Gashi tregon se tashmë kanë realizuar disa podcast-e, të cilat janë të qasshme për publikun.

“Dhe disa prej tematikave që tashmë janë në uebfaqe dhe janë trajtuar kanë qenë disa dimensione. Është trajtuar çështja e lirisë shprehjes, e barazisë gjinore, edukimit në media, vlerat evropiane dhe kulturore e kështu më radhë. Synimi jonë është që të vazhdojmë edhe me diskutime dhe tema tjera, sepse jemi motivuar nga studentet të cilët kanë shumë guxim dhe të prekin tema shumë të rëndësishme... Qëllimi i podcast-ve ka qenë që komunikimi të cilin nganjëherë e zhvillojmë përmes mësimdhënies ta lansojmë në publik, të jenë stafi ata që flasin për këto tema të cilat i kanë studiuar apo jo domosdoshmërisht, të jenë studentët ata që i realizojnë temat, pra stafi dhe studentët”, shton ajo.

Realizimi i podcasteve nuk është kufizuar vetëm me stafin e Departamentit të Gazetarisë, por edhe me profesorë të të tjera drejtimeve në Universitetin e Prishtinës.

Sipas profesoreshës Remzie Shahini-Hoxhaj ky zhanër i ri i gazetarisë mundëson transmetimin të gjerë.

“Podcast përveçse ofron njëfarë forumi publik është edhe një zhanër i cili mund ta arrijë një demografi të ndryshme, për shkak të formës së transmetimit, sepse ka qasje online dhe kanë qasje të gjithë ata që janë të interesuar në tematikat që kemi trajtuar në kuadër të podcast”, vijon Shahini-Hoxhaj.

Për rëndësinë e realizimit të këtij zhanri, flet edhe studenti i vitit të dytë të Gazetarisë, Melos Selmani.

“Podcast për ne studentë luan një rol të rëndësishëm për karrierën të cilën do ta realizojmë në të ardhmen, pasi trajtohen tema të ndryshme...Ka edhe studentë që marrin pjesë në podcaste... Përveç profesorëve që shtjellojnë tema në podcast, një përparësi kanë edhe studentët, që mund të tregojmë atë që duam”, përfundon ai.

Sipas një hulumtimi të “Pew Research Center”, gjysma e amerikanëve kanë dëgjuar një podcast vitin e kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat