A e ka fuqinë Dodik për ta ndarë Bosnjën?

Lajme

A e ka fuqinë Dodik për ta ndarë Bosnjën?

Më: 10 janar 2024 Në ora: 20:46
Milorad Dodik

Me 9 janar, serbët e Bosnjë Hercegovinës u mblodhën në Banja Luka.

E këtu, Milorad Dodik, përseriti edhe një herë, se Republika Serbe, mund të shkëputet nga ky shtet.

Por, kjo që e deklaroi Dodik të martën, po shihet si vështirë e realizueshme.

Redaktori kroat i gazetës “Trafika”, Danko Radaljac, thotë se Dodik nuk e ka fuqinë për ta shkëputur Republikën Serbe nga Bosnja dhe Hercegovina.

“Nuk ka ndonjë mënyrë magjike se si të ndalet Milorad Dodik për t’i thënë ato që po i thotë. Shumë më e rëndësishme është që politikat evropiane t’i tregojnë Dodikut dhe partnerëve të tij që idetë e tyre nuk janë operative dhe që Republika Serbe nuk mund të bëhet e pavarur pa pasoja të mëdha. Milorad Dodik po vazhdon me idenë e tij që Republika Serbe të bëhet e pavarur nga Bosnja dhe Hercegovina, pra këtu nuk ka gjë të re në ato që i tha së fundmi. Por, e vërteta është se në këto momente ai nuk e ka fuqinë as politike e as ushtarake për ta realizuar këtë", ka thënë ai.

Tutje, gazetari kroat, thotë se Dodik dhe Vuçiq, kanë ide të përbashkëta.

“Ka një marrëdhënie të ngushtë në mes të Z. Vuçiq dhe Z. Dodik, kjo tashmë është e qartë, e kemi parë edhe para disa jave gjatë zgjedhjeve në Serbi, kur serbët nga Bosnja dhe Hercegovina ndihmuan Vuçiqin t’i fitonte zgjedhjet. Nuk e di nësë kanë një aleancë mes vete, por duket se kanë të njëjtat ide, pra, ideja e Serbisë së Madhe është shumë aktuale në krahun e djathtë në Serbi”, ka thënë gazetari kroat.

Radaljac thotë se është e qartë se Marrëveshja e Dejtonit nuk është zgjidhja finale për Bosnje dhe Hercegovinën.

Ndërsa shton se një krizë e re në këtë shtet, do të ishte e mirëseardhur edhe për presidentin rus, Vladimir Putin.

“Kriza në Bosnjë dhe Hercegovinë do të ketë ndikimin, jo vetëm në Kosovë apo Kroaci e Mal të Zi, por do të ndikojë në gjithë Evropën, mbase edhe në gjithë botën. Mos ta harrojmë një gjë, kriza në Bosnje dhe Hercegovinë, do të ishte e mirëseardhur për një tjetër diktator, e që është Vladimir Putin dhe situata në Ukrainë për të do të bëhej më e lehtë nga një krizë tjetër në Evropë. Por, gjëja më e rëndësishme tani këtu në Bosnjë janë zgjedhjet në SHBA, nëse Donald Trump do t’i fitonte zgjedhjet e ardhshme”, tha ai.

Ndryshe, pas deklaratave të fundit të Dodik, dy avionë luftarakë amerikanë, F-16, fluturuan mbi qiellin e këtij vendi më 8 janar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat