​Përmbaruesit bëhen me sistem elektronik të menaxhimit

Lajme

​Përmbaruesit bëhen me sistem elektronik të menaxhimit

Më: 24 qershor 2025 Në ora: 12:41
Foto nga vendi i ngjarjes

Qendra për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (CILC) dhe Oda e Përmbaruesve Privat të Kosovës, kanë lansuar sistemin elektronik të menaxhimit të përmbarimit. Ky sistem u tha se paraqet një hap të rëndësishëm në digjitalizimin dhe rritjen e efikasitetit të sistemit përmbarimor në Kosovë.

Drejtoresha e projektit për forcimin e përmbarimit në Ballkan (BESP), Zlaty Mihailova tha se ky sistem do ta fuqizojë transparencën.

Mihailova: Dua t’iu inkurajoj që ta filloni ta përdorni këtë sistem

"Ka pasur hulumtim dhe bashkëpunim të madh me gjithë përmbaruesit privat dhe Ministrinë e Drejtësisë. Dhe është një seri trajnimesh, një cikël që ka përfshirë cdo zyrë në Kosovë. Po ashtu, është dashur përkrahja e Ministrisë së Drejtësisë dhe kam kënaqësinë që sot i kemi të gjitha palët e interesit këtu . Dua të ju inkurajoj që ta filloni të përdorni sepse është natyrë njerëzore që rezistojmë ndryshimin dhe gjithë ne duam digjitalizimin...Ky sistem do të fuqizojë transparencën, profesionalizmin dhe kontrollin e sistemit dhe ky ka qenë objektiva kyçe", theksoi ajo.

Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Karin Boven tha ky projekt është një investim strategjik.

Boven: Qëllimi i projektit është forcimi i sundimit të ligjit

“Qëllimi i përgjithshëm i projektit është i qartë: forcimi i sundimit të ligjit në vendet e Ballkanit Perëndimor që janë në fazën para-anëtarësimit në BE, përmes përmirësimit të zbatimit të vendimeve civile të gjykatave, që është një nga kërkesat kryesore të Kapitullit 23 të acquis të BE-së. Ky dhe Kapitulli 24 janë fusha për të cilat ne, si Holandë, kemi një përkushtim të veçantë. Jam e kënaqur të mësoj për tri rezultatet kryesore që projekti ka sjellë: Rritjen e llogaridhënies së përmbaruesve privatë përmes mekanizmave të përmirësuar të mbikëqyrjes dhe kontrollit, përforcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar në përmbarimin ndërkufitar, promovimin dhe lokalizimin e Konventës për vendimet gjyqësore të konferencës së Hagës për të drejtën ndërkombëtare private”, u shpreh ajo.

Feride Podvorica, e cila është drejtoreshë e Departamentit Ligjor në Ministrinë e Drejtësisë tha se lansimi i këtij sistemi është një arritje e madhe.

Podvorica: Ky sistem rrit transparencën dhe mbikëqyrjen e procedurave përmbarimore

“Sot kemi një platformë funksionale që sjell përfitime konkrete për gjithë sistemin. Rrit transparencën dhe mbikëqyrjen e procedurave përmbarimore, përshpejton trajtimin e lëndëve dhe përmirëson efikasitetin, lehtëson komunikimin dhe shkëmbimin e të dhënave ndërmjet institucioneve dhe më e rëndësishmja forcon mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe palëve të përfshira. Zbatimi i EMS-it tashmë ka arritur të jap rezultatet e para”, tha ajo në lansimin e këtij sistemi.

E kryetari i Odës së Përmbaruesve Privat, Mehdi Reshani tha se ky sistem do të lehtësojë punën dhe do të rris besimin e qytetarëve.

Reshani: Kemi qenë të përkushtuar dhe pro çdo sistemi që avancon sistemin e përmbarimit

“Ne si odë që nga fillimi edhe në të ardhmen do të jemi të përkushtuar që lansimin e projektit të EMS-së ta avancojmë dhe tashmë fatmirësisht që ky sistem do të ketë mundësinë që të lidhet edhe me sistemin SMIL të gjykatave ashtu siç e kemi informatën...Ne gjithmonë kemi qenë të përkushtuar dhe pro çdo sistemi që avancon dhe digjitalizon sistemin tonë të përmbarimit”, përfundoi ai. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat