Dy mjekë, punonjës të spitalit në Vushtrri, që u arrestuan të mërkurën, me dyshimet për marrje të ryshfetit, kanë pasur aktakuza, po për këtë vepër, edhe më parë.
Kështu i ka thënë KosovaPress-it një burim nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.
Dy mjekët, që u arrestuan sot në spitalin e Vushtrrisë, në prani të prokurorit, dyshohet se kanë marrë para jashtëligjshëm, për shërbimet që kanë ofruar, të paktën në tetë raste.
Lajmin e ka bërë të ditur më herët gjatë ditës Prokuroria Themelore në Mitrovicë. Sipas saj, dy të dyshuarit, me inicialet E.S. dhe V.R. u prangosen nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit”.
“Bazuar në dyshimet fillestare, E.S. dyshohet se në tri raste, ndërsa V.R. në pesë raste, kanë kërkuar dhe pranuar para nga qytetarët në këmbim të ofrimit të shërbimeve shëndetësore”, thuhet në njoftimin e kësaj prokurorie, përcjellë KosovaPress.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
KosovaPress ka tentuar të marrë edhe versionin e kësaj ngjarje nga drejtori i spitalit të Vushtrrisë, por kontakti me të ka qenë i pamundur.
Ky mekanizëm i drejtësisë bëri me dije se brenda afatit ligjor pritet të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së sigurisë.