Zgjedhjet në Serbi: Vuçiq pranon humbjen

Lajme

Zgjedhjet në Serbi: Vuçiq pranon humbjen

Më: 25 tetor 2026 Në ora: 07:41 Përditësuar në ora: 11:18 më 25.10.2026
Aleksandar Vuçiq

Radhë të gjata para vendvotimeve në Serbi, pjesëmarrja deri në orën 09:00 arrin në 12%

Qytetarët e Serbisë po u drejtohen kutive të votimit këtë të diel, më 25 tetor, për zgjedhje të tjera të parakohshme parlamentare – të tretat në pesë vjetët e fundit. Në to, një lëvizje studentore e dalë nga një nismë qytetare do të synojë t’i japë fund pushtetit 14-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit dhe Partisë Përparimtare Serbe (SNS).

Sipas të dhënave të para të Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID), deri në orën 09:00 kanë votuar 12 për qind e votuesve, krahasuar me 5,2 për qind në të njëjtën orë në zgjedhjet e vitit 2023. Ky vlerësim bazohet në të dhënat nga 750 vendvotime.

CeSID-i njoftoi se deri në orën 09:00 janë raportuar më shumë se 70 parregullsi gjatë votimit.

Sipas kësaj organizate, janë evidentuar raste të fotografimit të fletëvotimeve, përdorimit të telefonave, votimit jashtë kabinave dhe votimit familjar, përfshirë një raportim se një votues ka votuar në emër të një personi tjetër.

Janë raportuar gjithashtu përplasje mes anëtarëve të këshillave të vendvotimeve, ndërprerje të përkohshme të votimit, incidente dhe kërcënime ndaj votuesve, si dhe probleme me materialin zgjedhor dhe verifikimin e votuesve. / REL

Shaip Kamberi voton në Tërnoc

Shaip Kamberi, bartës i listës së Koalicionit Shqiptar, ka votuar në vendlindjen e tij, në Tërnoc.

Pas votimit, Kamberi ka falënderuar qytetarët që kanë ardhur nga Kosova për të kontribuar në procesin zgjedhor.

“Falënderoj edhe qytetarët që erdhën nga Kosova për ta ndihmuar këtë proces, i cili duhet të jetë demokratik”, ka deklaruar ai.

Kamberi u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në zgjedhje dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike për të votuar.

Kolona të gjata në Muçibabë, qytetarët e Luginës nga Kosova drejt votimeve

Kolona të gjata janë krijuar në pikën kufitare në Muçibabë, e cila lidh Gjilanin me Preshevën, për shkak të lëvizjes së shtuar të qytetarëve që po udhëtojnë drejt Serbisë për të votuar në zgjedhjet parlamentare.

Sipas raportimeve, qytetarë të shumtë nga Lugina e Preshevës, të cilët jetojnë në Kosovë, po i përgjigjen thirrjes për të votuar listën e përbashkët të koalicionit shqiptar, e unifikuar me numrin 17.

Fluksi i madh i votuesve ka shkaktuar pritje edhe në pikën tjetër kufitare, te Dheu i Bardhë, ku raportohet se kolona e automjeteve ka arritur rreth 800 metra.

Qytetarët nga Lugina e Preshevës po udhëtojnë drejt vendvotimeve për të marrë pjesë në procesin zgjedhor në Serbi, ndërsa lëvizja e shtuar në pikat kufitare ka sjellë krijimin e kolonave të gjata.

Shqiptarët votojnë në Tërnoc, procesi monitorohet nga vëzhguesit e OSBE-së

Sot në Serbi po votohet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Shqiptarët në këto zgjedhje janë duke garuar me një listë të përbashkët.

Synimi i tyre është sigurimi i tri mandateve në Kuvendin e Serbisë.

Shqiptarët e Luginës u janë drejtuar kutive të votimit.

Shqiptarët kanë hedhur votën e tyre në vendvotimin në Tërnoc, në vendlindjen e Shaip Kamberit, kandidatit që i prinë lisës së Koalicionit Shqiptar.

Ky proces, është monitoruar nga vëzhguesit e misionit të OSBE-së.

Kolona në pikat kufitare: Deri në 90 minuta pritje në Jarinjë

Pritje janë raportuar në disa pika kufitare të Kosovës, kryesisht në Jarinjë dhe Merdarë, për qytetarët që po dalin nga vendi.

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet për dalje nga Kosova në Jarinjë arrijnë deri në 90 minuta.

Në pikën kufitare në Merdarë, pritjet janë nga 30 deri në 40 minuta, ndërsa në Bërnjak rreth 30 minuta dhe në Dheun e Bardhë deri në 25 minuta.

Ndërkohë, pikat e tjera kufitare paraqiten me ngarkesë më të ulët dhe me pritje më të shkurtra.

​Sot zgjedhjet parlamentare në Serbi, Koalicioni Shqiptar garon me numrin rendor 17

Më 25 tetor në Serbi mbahen zgjedhjet e parakohshme për Parlamentin prej 250 ulësesh, në të cilat Koalicioni Shqiptar garon si subjekt i vetëm politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, me numrin rendor 17, teksa serbët nga Kosova mund të votojnë në vendvotimet e vendosura në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.

Qendrat e votimit do të hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 20:00. Votuesit duhet të kenë letërnjoftim ose pasaportë të vlefshme, ndërsa njoftimi zyrtar për votim nuk është i nevojshëm pasi kushti i vetëm thelbësor është regjistrimi në listën zgjedhore. Në këto zgjedhje garojnë gjithsej 18 lista.

Sipas Komisionit Zgjedhor Republikan, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar është 6 milionë e 450 mijë e 523, ndërsa votimi organizohet në gjithsej 8 mijë e 392 vendvotime. Nga vendvotimet në Serbi, 29 ndodhen brenda institucioneve korrektuese. Në zgjedhje, serbët nga Kosova mund të votojnë në 60 vendvotime në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.

Statusi i regjistrimit mund të verifikohet përmes portalit zyrtar të listave zgjedhore, duke përdorur numrin unik të identifikimit të qytetarit dhe numrin e letërnjoftimit.

Brenda 96 orëve nga marrja e të gjitha raporteve të konsoliduara mbi rezultatet e votimit nga çdo vendvotim, Komisioni Zgjedhor Republikan përpilon dhe publikon një raport gjithëpërfshirës mbi rezultatet e zgjedhjeve.

Ky raport përfshin numrin e përgjithshëm të votuesve të regjistruar në listën zgjedhore, numrin e votuesve që kanë dalë në votime, numrin e votuesve që kanë votuar, numrin e fletëvotimeve të pavlefshme dhe të vlefshme, numrin e votave të marra nga secila listë zgjedhore, si dhe numrin e mandateve parlamentare të fituara nga secila listë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat