Vuçiq po përgatit kundërgoditjen? Fetoshi analizon mesazhin e presidentit serb

Lajme

Vuçiq po përgatit kundërgoditjen? Fetoshi analizon mesazhin e presidentit serb

Nga: A.SH Më: 16 nëntor 2026 Në ora: 16:19
Aleksander Vuçiq

Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka komentuar videomesazhin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, duke e cilësuar atë si përpjekje për të mbuluar dëshpërimin pas zhvillimeve të fundit politike në Serbi.

Sipas Fetoshit, Vuçiq po përdor ironinë, propagandën dhe narrativat nacionaliste për të delegjitimuar fituesit dhe për të mobilizuar mbështetësit e tij politikë, por edhe për të ushtruar presion ndaj Listës Studentore.

Ai ka vlerësuar se sfida kryesore për demokratizimin e Serbisë mbetet shkëputja nga modeli politik i Vuçiqit, ndikimi rus dhe qasja ndaj Kosovës.

Fetoshi ka përmendur edhe këngën nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”, të interpretuar në Forumin e Zgjerimit të BE-së në Bruksel, duke thënë se narrativat e tilla mund të shfrytëzohen nga SNS-ja për mobilizim dhe rikthim politik.

Postimi i plotë:

DËSHPËRIMI "PARALAJMËRUES" I VUÇIQIT

Arkitekti i propagandës që “viktimizohet” nga ‘çmenduria propagandistike’ e fituesve, jo vetëm për ta mbrojtur ‘grigjën’ e tij politike, por edhe pushtetin real në Serbinë “studentore”. Përmes një videomesazhi në X (15.11.2026) dy ditë para konstituimit të kuvendit të ri, Aleksandër Vuçiq tenton ta mbulojë dëshpërimin me ironi, duke përqeshur të nominuarin për kryetar, Aleksandër Çupiq, me një paralele nga “revolucioni” i vitit 2000 dhe ‘marrëzitë’ që do ta “rrotullonin Nikolla Pashiqin në varr”.

Ndërsa i quan fituesit e zgjedhjeve “llumi shoqëror” që do të kalojë, ai i fton serbët “normalë dhe të ndershëm” për forcë e unitet, që t’i kthejnë “atje ku e kanë vendin”. Strategu i manipulimit të informacionit dhe zgjedhjeve, i cili për gati 15 vjet instaloi kontroll të plotë mbi mediat dhe institucionet, aplikon ‘përmbysjen propagandistike’ për t’i delegjitimuar fituesit e zgjedhjeve si “gënjeshtarë e hakmarrës”, derisa paralajmëron mobilizim “kundër kësaj të keqeje”, pas kuvendit të partisë.

Videomesazhi i tij ka dy dimensione komunikimi: e para, si ‘mekanizëm mbrojtës’ për tentakulat e tij dhe e dyta, si ‘mjet presioni’ ndaj Listës Studentore.

Komunikimi ironik dhe përçmues, duke e kornizuar humbjen si “eufori kalimtare”, nënkupton kthimin e “viktimizimit” në mobilizim dhe mobilizimin në rikthim politik. Ky është qëllimi i talljes me profesor Çupiqin, jo për diskreditimin e tij, por të modelit që përfaqëson Lista Studentore.

Dëshpërimi i Vuçiqit s’ka të bëjë vetëm me humbjen e zgjedhjeve, por edhe me mbijetesën e modelit të tij hibrid. Sepse, një Serbi që vazhdon minimin ndaj Kosovës dhe rreshtimin me Rusinë, nuk mund të demokratizohet, dhe një Serbi që nuk demokratizohet, mund ta rifuqizojë shpejt atë.

Në këtë funksion përdor referenca historike e nacionaliste, jo thjesht për të projektuar “paaftësinë” apo “gabimet nga e kaluara”, por edhe “armiqtë e brendshëm” të Serbisë.

Në këtë kuptim, videomesazhi është një paralajmërim për kontrollin mbi narrativën e Serbisë, duke shtuar presionin për ‘interesin kombëtar’, të definuar me Kosovën dhe Rusinë. Në këtë kuptim, fati i Listës Studentore si një formacion heterogjen, do të varet nga qasja ndaj këtij “presioni”.

Sa më shumë që do të fshihen prapa Kushtetutës së Serbisë dhe takimeve me Rusinë në emër të ‘interesit strategjik’, aq më pak do të ketë kuptim rotacioni i pushtetit në Serbi.

Sa më gjatë që do t'i përdorin narrativat e njëjta strategjike, si skandali i fundit me këngën “Oj Kosovo, Kosovo” në Forumin e Zgjerimit të BE-së në Bruksel, aq më shumë do të mobilizohet SNS-ja për rikthim.

Sepse, Kosova është testi dhe “studentët” s’mund ta tejkalojnë “Goebbels-in” e populizmit dhe strategjisë hibride serbe.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat