Agjencia e Zbatimit të Gjuhës dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale përforcojnë bashkëpunimin

Maqedonia

Agjencia e Zbatimit të Gjuhës dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale përforcojnë bashkëpunimin

Më: 23 dhjetor 2020 Në ora: 17:01
Pamje nga takimi

Drejtori i AZGJ-së, Ylber Sela sot vizitoi Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, ku realizoi takim pune me ministrin e saj, Goran Milevski.

Në takim u diskutua për çështjet që u vlerësuan si prioritet në pjesën e zbatimit të Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve në realizimin operativ të kompetencave të kësaj ministrie.

Drejtori Ylber Sela theksoi se kjo ministri është një subjekt i rëndësishëm institucional që kujdeset për funksionimin e sistemit të vetëqeverisjes lokale në interes të ofrimit të shërbimeve publike cilësore për qytetarët dhe për realizimin e të drejtave të tyre, duke përfshirë përdorimin e gjuhëve zyrtare në procedurat administrative.

Bashkëbiseduesit konstatuan se ministria po ballafaqohet me kapacitet të kufizuar të kuadrit për përkthim dhe lekturë, ku drejtori Sela u ofroi ndihmë për tejkalimin e kësaj situate nëpërmjet shërbimeve profesionale nga ana e AZGJ-së në pjesën e përkthimit dhe të lekturimit të akteve zyrtare në kompetencë të ministrisë.

Gjithashtu, u shkëmbyen edhe ide për bashkëpunim në projektet e ardhshme në pjesën e përgatitjes së publikimeve për përdorimin e gjuhëve zyrtare në njësitë e vetëqeverisjes lokale, si dhe iniciativa të tjera për të cilat do të diskutohen modalitetet për realizimin e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat